Përgjatë muajve të fundit numri i emigranteve që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme në përpjekje për të kaluar kufirin ilegalisht pranë pikës doganore të Kapshticës është rritur ndjeshëm. Fshatrat që këta emigrantë përdorin më tepër si urë kalimi për të hyrë në Shqipëri janë Tresteniku, Verniku, Poncara dhe kohët e fundit edhe fshati Arrëz. Banorët e këtyre fshatrave tregojnë se hasin shpesh emigrantë, të cilët shumë herë janë të lodhur nga ecja në këmbë midis tyre edhe nëna me foshnja në krahë, edhe pse banorët kanë dëshirën e mirë për t'i ndihmuar duke kujtuar edhe veten e tyre si emigrantë ,jo të gjithë guxojnë t'i ofrojnë ndihmë prej frikës së policisë.

''Kanë ardhur dhe kanë qëndruar gjithë natën në fshat, kanë ikur disa i ka marrë dhe policia. Ka pasur dhe fëmijë, gra, janë të lodhur si refugjatë që ecin në këmbë", tha një banor

"Vijnë sirianë që andej me fëmijë e gra, po do i japim një gotë ujë. Janë me fëmijë, 6 muaj një. I mori një këtu i futi në shtëpi i erdhi policia dhe i mori. Po na vjen keq njerëz janë ata si ne kur ikëm në Greqi. Por kemi dhe frikë nga policia kur i ndihmojmë", tha një banor

"Edhe në kur ikëm në Greqi kemi qenë të lodhur, ndihmë kanë kërkuar dhe fshatarët i kanë dhënë", tha një tjetër banor

Nga muaji Shkurt 2020 dhe deri më 5 mars Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, Policia Kufitare në bashkëpunim me Frontex kanë arrestuar 23 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë pasi janë kapur duke transportuar 76 persona nga vendet e Lindjes së Mesme me kombësi marokene, irakiane, siriane, afgane, kurde. Sipas të dhënave që Gazetarja e Report Tv Gladiola Hoxha ka arritur të sigurojë, shërbimet e Frontex dhe Policisë Kufitare kanë ndaluar në mbi 600 shtetas të huaj duke ecur në kufi të gjelbër vetëm gjatë Shkurtit.

Pasi kapen emigrantët merren në pyetje në prani të përkthyesve dhe deri në përfundim të procedurave të regjistrimit ata qëndrojnë në qendrën e përkohshme të pritjes e cila ka nisur të funksionojë në nëntor të 2019. Pas kësaj Policia Kufitare i trajton me procedurat përkatëse, 1 pjesë e tyre mund të kërkojnë Azil në Shqipëri dhe akomodohet në qendrën e Azilkërkimit në Babrru, Tiranë ndërsa pjesa tjetër e cila kërkon te rikthehet në vendet nga ka ardhur ju plotësohet urdhër largimi vullnetar pra ata që nuk duan të akomodohen në Shqipëri, por që kanë pasur si synim vendet e BE.