FSHF diplomon 81 arbitra të rinj, 12 prej tyre vajza! Shulku: Shpresoj të arrini deri në arenën ndërkombëtare (VIDEO)

81 arbitra të rinj janë diplomuar sot si arbitra nga Akademia e Arbitrave në stadiumin kombëtar 'Air Albania'. Të pranishëm kanë qenë disa përfaqësues të FSHF-së, ndër të cilët edhe sekretari Ilir Shulku, i cili i ka uruar arbitrave të rinj të arrijnë deri në arenën kombëtare.

"Është zhvilluar sot ceremonia e shpërndarjes së diplomave për pjesëmarrësit në edicionin e dytë të Akademisë së Arbitrimit. 81 arbitra të rinj, nga të cilët 12 janë vajza, u diplomuan në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e stadiumit 'Air Albania'.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Presidenti i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati si dhe Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, i cili është njëkohësisht edhe koordinatori i këtij projekti.

Edicioni i dytë i Akademisë së Arbitrimit nisi në tetor 2019 dhe ishte i ndarë në dy faza trajnuese në teori dhe praktikë. Arbitrat e rinj u trajnuan në lidhje me rregullat e lojës, përgatitjes fizike, psikologjisë sportive, komunikimit, mjekësisë si edhe gjuhës angleze.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Shulku, vlerësoi angazhimin e të rinjve, e veçanërisht të vajzave, në sektorin e arbitrimit, duke inkurajuar që sa më shumë prej tyre të bëhen pjesë e futbollit. “Unë do t’ju uroja të gjithëve për iniciativën që ju keni marrë për t’u bërë arbitra të futbollit. Një nismë shumë e mirë, angazhimi në sport dhe konkretisht jeni profilizuar te një sektor shumë i rëndësishëm, arbitrimi i ndeshjeve. Më bëhet shumë qejfi që shoh angazhimin e shumë vajzave në sektorin e arbitrimit. FSHF e ka në prioritet futbollin e femrave dhe angazhimin e tyre në futboll po ashtu dhe angazhimin e femrave në gjykimin e ndeshjeve. Unë shpresoj shumë që sa më shumë nga ju të bëhen së shpejti pjesë e rëndësishme e gjykimit shqiptar, por pse jo edhe atij ndërkombëtar. Kështu që duhet punë, përkushtim dhe padiskutim që kjo ka edhe shumë sakrifica”, – tha Shulku.

Ndërsa, Presidenti i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati, duke iu drejtuar të rinjve tha se për ta është hapur tashmë një dritare e re dhe se duhet shumë pasion dhe mund për t’ia dalë mbanë. “Kurorëzojmë më sukses veprimtarinë që ka organizuar FSHF-ja dhe Shoqata e Arbitrave për afrimin, edukimin dhe trajnimin e arbitrave të rinj. Për juve sot është hapur një dritare e re dhe keni një rrugë të gjatë e të vështirë me plot sfida, por pasioni dhe dëshira mund gjithçka. Ju keni marrë bazat kryesore teorike dhe praktike të linjës së gjykimit, ku duhet shumë punë dhe vendosmëri. Që sot ju jeni anëtarë të shoqatës sonë”, – tha Kastrati.

Të diplomuarit u pajisën me diplomën “Arbitër i Kategorisë së Tretë” dhe karriera e tyre nis në Kolegjiumet e qyteteve nga vijnë, duke arbitruar në kampionatet e moshave,"-shkruan FSHF.

Ne.k./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë