TIRANË- Kryebashkiaku, Erion Veliaj ka reaguar pas investigimit se FSHF ka zhdukur 2.1 milionë dollarë të lëvruara nga UEFA dhe FIFA për të kaluar krizën e pandemisë. Veliaj tha se FSHF ka marrë para nga FIFA, po ndërkohë investimet për sportin në qytet bëhen vetëm nga Bashkia e Tiranës.

“Më thoni një fushë sporti që ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit në Tiranë? Nëse ti ke në buxhet 20 mln euro në vit dhe meqë në Tiranë jeton gjysma e popullsisë, gjysma e ekonomisë, atëherë do beje edhe gjysmen e investimeve. Më thuaj një fushë në Tiranë. Edhe fushën e Laprakës e ka bërë bashkia. Fushën e Kombinatit te ‘Betim Muço’? Edhe atë e ka bërë Bashkia. Fushën tek “Mihal Grameno”? Po ashtu, e ka bërë bashkia. Për sa kohë që ty t’i ka dhënë FIFA paratë dhe ti rezulton se nuk i ke shpërndarë, por i ke shpenzuar për gjëra të tjera, atëherë mua me të drejtë më lind pyetja: ‘Po mirë more, ne jemi korrektë me aksionet tona, jemi korrektë kur i japim Tiranës 150 mijë euro si premio, kur fitoi kampionatin, pra po shpërblehet për merite, po ti?”, u shpreh Veliaj në “Real Story”.

Duke ju referuar artikulli të publikuar në gazetën Panorama, ku theksohet fakti se fondet e ndërkombëtarëve për klubet shqiptare devijojnë apo zhduken rrugës dhe nuk ka transparencë, Veliaj tha se si kryetar Bashkie ka vetëm një pyetje: ‘Ku shkuan fondet që FIFA ka lëvruar për të kaluar krizën që mbërtheu futbollin nga COVID-i në dy vitet e fundit?’.

“Pashë sot në lajme denoncimin e Panoramës, për paratë qe kishte dhënë FIFA për pagat e luftës. Po ju kujtoj se pati një debat të ashpër midis klubeve, federatës dhe qeverisë në kohën e pandemisë për këto pagesa. Për sa kohë që ty t’i ka dhënë FIFA dhe ti rezulton që nuk i ke shpërndarë, por i ke shpenzuar për gjëra të tjera, atëherë mua me të drejtë më lind pyetja: Ku shkojnë këto para? Pse nuk i morën shoqatat e Tiranës? 2 milionë euro ku u zhdukën? Pra, s’ke audit, nuk tregon produkt, zhduken paratë, po mirë more dikush duhet të përgjigjet?”, përfundoi Veliaj.