Fuga letër ministres: Po bëjnë zgjedhje të paligjshme! Ironizon Gjinushi: Ngërçi zgjidhet me pak streçing

Vazhdon përplasja Fuga-Gjinushi lidhur me reformimin e Akademisë së Shkencave. Ditën e sotme Politikani dhe akademiku Skënder Gjinushi i cili është në krye të grupit të punës që po harton projektligjin për reformimin e Akademisë së Shkencave foli për mediat ku njoftoi për datën e zgjedhjeve dhe 15 vendet e lira të krijuara nga vakancat reformuese. Nga ana tjetër Akademik Artan Fuga ka ankimuar vendosjen e datës së zgjedhjeve pa u vënë në fuqi ligji i ri për Akademinë e Shekncave.

"Akademia e shkencave ka ndërmarrë prej kohësh një reformim të vetin. Asambleja këto ditë konstatoi se akademia ka kryer shumë mirë misionin e vet duke miratuar dy projektligje atë për reformimin e akademisë dhe atë për kërkimin shkencor. Vendimet e Gykatës bëjnë që Akademia të këtë tashmë në dispozicion 15 vende të lira për akademikë të rinj. Përzgjedhja e tyre do bëhet në bazë të formimit dhe arsimit të tyre.

Akademik nuk të bën asambleja por puna 30 apo 40-vjeçare pranë qendrave të kërkimit publik apo privat. Gjykata rregulloi atë që ligji synonte.

Akademia do vazhdojë rrugën e saj. Ofron bashkëpunime me këshillin e ministrave më qëllim realizimin e reformës për shkencën. Gjërat duhet të jenë të konsoliduara në një ligj. Tani kemi vendosur një standard europian.

Zgjedhjet do të mbahen me 24 maj, për shkak se kanë mbaruar mandaet dhe për shkak të  vakancës që i hapën rrugën reformave. Zgjedhjet do bëhen me atë ligj që është në fuqi në kohën kur mbahen zgjedhjet. Për sa kohë është në fuqi në ligj ai zbatohet.

Bëjmë një reformë të standardit europian, hapen dhe vende të reja të cilat plotësohen në bazë të sanksioneve europiane. Pyetjes se si do të zgjidhet ngëçi i krijuar, Gjinushi iu përgjigj duke thënë se  zgjdihet me pak streçing dhe shmpirje", deklaroi Gjinushi.

Ndërkohë Akademik Artan Fuga i është drejtuar Ministres së Arsimit Besa Shahini me një letër ku ankimon procesin zgjedhor pranë Akademisë së Shkencave. Sipas tij po tentohet të bëhet një proces i paligjshëm që tenton ta kthejë akademinë pas. Ai denoncon vendimin e Asamblesë së Akademisë së Shkencave për të mbajtur zgjedhje për drejtuesit e saj, pa u miratuar ende ligji i ri në Kuvend bashkë me statutin dhe rregulloret e reja.

ZONJËS BESA SHAHINI, MINISTRE E ARSIMIT, RINISË DHE SPORTEVE

ZOTIT ENGJËLL AGAÇI, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Tiranë, më 27.02.2019
Mbi gjendjen në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe të procesit të rithemelimit të saj

1. ME ÇFARË STATUSI JU DREJTOHEM?

Po ju drejtohem nisur nga fakti i të qenurit anëtar i Akademisë të Shkencave, e cila me një sërë vendimesh të Asamblesë të saj, marrë në dhjetorin e vitit 2017 dhe në vazhdim, ka pranuar zyrtarisht nevojën e reformimit nëpërmjet një kuadri të ri ligjor.

Gjithashtu, nisem nga fakti që prej vitesh kam ngritur nevojën e reformimit të këtij institucioni publik në gjendje të vajtueshme, si pasojë e një drejtimi krejt joprofesional dhe të paaftë. Sipas kërkesës zyrtare dhe publike, që edhe platforma e paraqitur nga ana ime për një rithemelim të Akademisë të Shkencave të merret në shqyrtim, jam angazhuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit në këtë drejtim.

Aq më tepër që prej disa kohësh, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve i ka dërguar të dyja platformat rivale dhe në thelb të papajtueshme me njëra-tjetrën në IAL-të e ndryshme për konsultime dhe për të marrë opinionin e komunitetit universitar mbi secilën prej tyre dhe përzgjedhur më pas se mbi cilën bazë do të kryhet reformim-rithemelimi.

2. CILA ËSHTË GJENDJA E SOTME E PROCESIT TË REFORMIMIT?

Më datën 26 shkurt 2019 u mblodh Asambleja e Akademisë të Shkencave, ndonëse sekretari shkencor i saj nuk ka asnjë kompetencë statutore të thërrasë mbledhjen e saj të zakonshme dhe aq më pak t’i imponojë asaj rendin e ditës.

Kjo mbledhje fatkeqe shënoi një regres të thellë, një përpjekje për ta penguar procesin e reformimit, si edhe daljen përfundimtare të Akademisë së Shkencave nga shinat ligjore dhe statutore. Kjo shfaqet në këto drejtime:

a. Në vend që Akademia e Shkencave të punojë për të mbizotëruar atje një frymë e re dhe pajisur me një personel akademik dinamik të ri, u bë ndryshimi statutor antireformator, sipas të cilit, në kundërshtim me ligjin në fuqi, u jepet e drejta e votës, pra të zgjidhen apo të zgjedhin, edhe akademikëve të dalë në pension pas moshës 75 vjeç. Në këtë mënyrë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë bën edhe një tjetër shkelje ligjore të radhës.

b. Me një vendim sa arrogant aq edhe në formë presioni, pa pritur që Kuvendi i Shqipërisë të aprovojë kuadrin e ri ligjor reformues e rithemelues, Asambleja u nxit të shpalli vendimin e saj që në 24 maj 2019 të zhvillojë zgjedhjet për organet e veta drejtuese. Ky akt, i cili i është bërë për njoftim edhe sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, përbën një largim të hapur nga vendimet e Asamblesë për të kryer reformimin dhe pastaj të procedohej me hapat e tjera. Në këtë mënyrë, Asambleja u nxit të vendosë të mos presë ndërtimin e matur dhe të qetë të kuadrit të ri ligjor, prerogativë e Kuvendit të Shqipërisë, por e vendosi këtë të fundit nën presion, duke i caktuar atij një afat kohor të prerë !!!

c. Aq më shumë që, zgjedhjet për organet drejtuese Akademia e Shkencave nuk i trajton si të varura nga riformatimi i statutit dhe rregulloreve të reja të institucionit, si edhe nga procesi i zgjedhjes së akademikëve të rinj. Një Akademi që do t’i bënte zgjedhjet me statutin dhe rregulloret e vjetra dhe aq më tepër, pa pritur prurjet e reja të akademikëve të rinj, do të futej në një reformim farsë.

d. E gjitha kjo platformë antireformuese është paraqitur nga i quajturi grup reformues i përbashkët midis Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë të Arsimit, grup i cili në fakt e ka përfunduar misionin e tij që pas dorëzimit në Ministrinë e Arsimit të projektligjit që ai ka propozuar. Aq më tepër që ky grup, duke qenë i përbashkët me Ministrinë e Arsimit, vepron pa asnjë aprovim ose këshillim me këtë ministri, përkundrazi, e vendos atë përpara faktit të kryer.

3. CILI ËSHTË SHQETËSIMI QË NGRE?

Gjendja e reformimit dhe e procesit të rithemelimit të Akademisë së Shkencave jo vetëm që ka mbetur në vend, por ka pësuar edhe një regres të thellë. Forcat antireformë jo vetëm rezistojnë me metoda dhe praktika antistatutore e joligjore, por edhe kanë bërë gjithçka që të ngujohen në pozitat e tyre, sikurse e tregojnë edhe faktet e mësipërme.

Është shqetësuese që projektligji i paraqitur nga grupi i punës i Akademisë së Shkencave nuk ka asnjë element të vërtetë reformimi dhe nuk bën tjetër veçse krijon kushtet për ruajtjen e statukuosë në të, ruajtjen e privilegjeve të një grupi akademikësh, kontrollin mbi pushtetin në Akademinë e Shkencave, si edhe mbulimin e batërdisë financiare që është bërë atje.

Kjo shpjegon se përse drejtuesit e saj dhe të grupit të punës censurojnë platformën alternative, nuk e shtrojnë atë përpara Asamblesë, kjo shpjegon se përse kërkohen të bëhen zgjedhjet për organet drejtuese pa pritur kuadrin e ri ligjor dhe sidomos pa pritur prurjet me anëtarë të rinj të Akademisë, kjo shpjegon se përse në kundërshtim me ligjin thërriten në votim edhe akademikë të dalë në pension përtej moshës 75 vjeç.

Gjendja e kalbëzimit, degradimit dhe e shpërbërjes së Akademisë së Shkencave mishërohet sot e kësaj dite me një lëvizje antireformë, që ka mobilizuar të gjitha ato forca që e kanë mbajtur atë në këtë nivel të vajtueshëm, me mentalitete totalitare dhe staliniste, refraktare me çdo model fryme menaxhimi të shkencës me prirje europiane dhe përparimtare, duke përfituar edhe nga vonesa që vijnë nga kontekstet e situatës në vend, si edhe nga ritmi dhe axhenda e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

4. ÇFARË PROPOZOJ?

Nisur sa më sipër, propozoj si urgjente këto masa:

a. E ndiej të domosdoshme që Ministria e Arsimit të pozicionohet zyrtarisht për atë, nëse grupi i reformimit që ka urdhëruar të ngrihet, e ka përfunduar apo jo misionin e vet bashkë me dorëzimin e projektligjit të formuluar prej tij. Nëse ministria mendon që ky grup nuk e ka përfunduar ende misionin e vet, çka do të ishte në kundërshtim me vendimin e ngritjes së tij, atëherë ka vend që ajo të kontribuojë në këtë grup, të ushtrojë ndikimin e vet sipas angazhimeve të marra në vendimin themelues të atij grupi dhe jo ta lejojë atë të marrë kompetenca faktike drejtuese në Akademi, si edhe të frymëzojë qëndrime antireformatore në Asamble.

b. Nëse dërgimi në IAL i të dy platformave është një vendim, të cilit ministria i përmbahet ende, ka vend që për këtë procedurë të njoftohet zyrtarisht Akademia e Shkencave, në mënyrë që ajo ta respektojë këtë proces. Nuk ka asnjë kuptim që nga njëra anë t’i kërkohet komunitetit akademik të vendit që ai të japi mendimin e tij për platformat e reformimit, ndërkohë që Akademia e Shkencave të konsiderojë apriori dhe arbitrarisht që platforma e saj zyrtare është ajo që duhet të shkojë në qeveri.

c. Ka vend që për platformat e paraqitur të merret një mendim nga përfaqësuesit e BE-së në Shqipëri aq më tepër që këto platforma supozohen se do të jenë në themel të kuadrit ligjor që pritet të hyjë në procedurë aprovimi në Kuvend.

d. Mendoj gjithashtu që është urgjente nga ana juaj të njoftohet Akademia e Shkencave të mos vendosi nën presion organet vendimmarrëse, si qeveria dhe Kuvendi, si edhe të respektojë hapat e tjerë, që duhen realizuar me sukses përpara sesa të shkohet te procesi zgjedhor i organeve drejtuese. Mendoj që duhen paralajmëruar se të gjitha hapat në kundërshtim me ligjin në fuqi, nuk mund të marrin mbështetje nga ana juaj, as të konsiderohen si të miratuara nëpërmjet heshtjes.

5. CILI ËSHTË QËNDRIMI IM?

Mbetem krejtësisht i vendosur për ta mbështetur në mënyrë transparente dhe nëpërmjet shqyrtimit në komunitetin shkencor procesin e rithemelimit të Akademisë të Shkencave. Qëndroj me bindjen personale që alternativa që propozoj është shumë herë më efikase dhe novatore sesa ajo që mbështetet nga ata, që e kanë katandisur në këtë gjendje si kjo e sotmja Akademinë e Shkencave.

E ndiej për detyrë të sugjeroj që Ministria e Arsimit të pozicionohet fort në vendimet që ka ndërmarrë dhe në hapat e bëra deri tani. Çdo vonesë dhe hezitim përforcon qëndrimet antireformë në Akademinë e Shkencave dhe e bën gjithnjë e më të vështirë procesin.

Jam ftuar në këtë proces zyrtarisht nga Ministria e Arsimit. Prandaj, lutem që sa më shpejt të qartësohem për pozicionin përfundimtar të Ministrisë të Arsimit lidhur me platformën alternative që kam propozuar, si edhe për shqetësimet që kam ngritur dhe po ngre.

Uroj që procesi i reformim-rithemelimit të kryhet korrektësisht, për një model Akademie Shkencash sipas vlerave europiane dhe demokratike.

Nëse ky proces nuk ecën në mënyrën e duhur, mbetet fatkeqësisht sikurse deri tani nën presionin e forcave antireformatore në Akademinë e Shkencave, nuk gjen mbështetjen dinamike të Ministrisë së Arsimit, do të jem i detyruar ta vazhdoj përpjekjen time në mënyrë të pavarur dhe individuale, publikisht, duke i shkuar deri në fund përpjekjeve të mia shumëvjeçare me të gjitha instrumentet publike, mediatike, politike, institucionalë dhe komunitare që do t’i konsideroja të përshtatshme.

Duke shpresuar në reagimin tuaj sa më të shpejtë dhe në mirëkuptimin tuaj, si edhe pritur një përgjigje sa më të shpejtë nga ana juaj,

Me konsiderata të veçanta,

Artan Fuga

Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 01/03/2019 18:53

    Akademia e shkencave eshte ai organizem shkencor qe duhet te udheheqi Shqiperine drejt progresit dhe modernizimit .Gjinushi konciz oerball konfuzit Fuga . Gjinushi eshte koka kristalt e shkences shqiptare por shume e ngatarrojne me politikamin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka