Po lexoja Plutarkun. “Jetë paralele” quhet libri i tij ku ai ndërmerr një metodë krahasues mes Greqisë antike dhe Romës së Lashtë, duke krahasuar rreth 25 çifte personazhe me njërin tjetrin, njërin nga Greqia, tjetrin nga Roma, për të parë ngjashmëritë dhe dallimet mes dy botëve, kulturave dhe historive.
Një traktat madhështor i metodologjisë krahasuese.
Nuk e di përse më erdhi në një çast krahasimi mes periudhës 45 vjeçare komuniste dhe periudhës paskomuniste 36 vjeçare tashmë.
A ka ndodhur që historia përsëritet? Pra, çka ndodhte në një etapë të periudhës komuniste ndodh edhe gjatë periudhës që e pasoi, së cilës është gjynah t’i vë emrin tranzicion postkomunist!
Aty nga mesi i viteve 70 Enveri i futi një fshesë të gjithë shokëve të tij me të cilët kishte qeverisur dhe i kishte deri atëherë në majë të partisë. Ca me pushkatime, ca në burg, ca në internime! Një spastrim i partisë dhe kërceu pranë vetes askërkusha, njerëz pa asnjë kontribut, por që kishin dy avanatzhe të mëdha:
E para nuk dinin asgjë nga të fshehtat e asaj ç’kishte ndodhur në të kaluarën, me një fjalë zhduku dëshmitarët, dhe e dyta ata duke qenë askushi, adhuronin liderin si Perëndi, se ata që kishin ikur e dinin se si ishte ngritur dhe çfarë kishte bërë. E dinin se sa e kishte kapacitetin. Të rinjtë e adhuronin se pa të shkonin menjëherë andej nga kishin ardhur, nëpër SMT, kooperativa, miniera.
“Gjaku i ri” në fakt ishte llaç dhe çimento për liderin e gjithfuqishëm që tanimë e shihte veten të parrezikuar nga shokët, pra nga vëllezërit – ujq si thotë Tomas Hobsi.
Kjo ndodhi pas nja tridhjet vjetësh nga ardhja në pushtet. A po ndodh pas tridhjet vjetësh që edhe në dy partitë e mëdha tanimë janë fshirë, sigurisht jo me pushkatime, burgime – në ndonjë rast nuk jam i sigurt -, jo me internime, por me përjashtime, largime, edhe një sërë “të vjetrish”, duke sjellë gjakun e ri afër liderit tradicional?
Gjithsesi mekanizmi i përjashtimit funksiononte si atëhere si tani! Kurse struktura : lider tradicional – të rinj pa përvojë, pa kujtesë, dhe pa mbështetje sociale ka vepruar dhe vepron edhe tani.
Enveri bëri edhe një gjë tjetër. E kishte merak atë që përsëriste se pushteti nuk duhet të bëjë dualizma me partinë. Domethënë tjetër janë ata që drejtojnë partinë, ai pra, dhe ca të panjohur rreth tij, dhe ata që drejtojnë ministrinë, ose janë në rreshtat e parë të Kuvendit Popullor. Në këtë mënyrë e ndau grupimin drejtues rreth vetes (që në fakt grupimi kishte vetëm çelësat e kashtës) në dy a tre pjesë ku secili prej tyre kishte pushtet krejt të kufizuar, ishin në brisk e thikë me njeri tjetrin, gati t’i nxirrnin sytë njeri tjetrit, ca në parti, ca në Kuvend, ca nëpër ministri. Kjo ndodhi fiks nja tridhjet vjet pasi u hap era komuniste në pushtet.
A do të thoshte Plutarku se jetët paralele janë edhe sot paralele po të krahasonte ata që janë në parti rreth Liderit tradicional, atyre që janë si ushtarë prej letre nëpër ministri, ose atyre që mbajnë fjalime në Kuvend?
Nuk e kam këtu më Plutarku ta pyes, se ka ikur nga kjo botë si romak që fliste greqisht që nga viti 60 pas Krishtit.
Vija e partisë enveriane nuk ndryshonte në thelb vetëm përsa i përket ruajtjes së pushtetit. Për të tjerat kthehej nga frynte era. Një herë pro aleatëve të mëdhenj, pastaj me Jugosllavinë, pastaj me Stalinin, pastaj me Kinën, në fund, pasi i konsumoi të gjitha miqësitë dhe tradhëtitë, mbeti vetëm, dhe ra!
Ata të vijës së mëparshme likujdoheshin, bashkë me ta edhe kujtesa historike e politikës së mëparshme. Poli drejtues ishte pushteti. Në këtë mënyrë partia nuk kishte më bosht të vërtetë ideologjik, dhe më në fund praktikisht u bë si “parti e gjithë popullit”, ndonëse koncepti i Brezhnjevit kritikohej. E gjithë popullit, pra e askujt. Vetëm e liderit. Të tjerët nuk e dinin se në çfarë partie ishin ndonëse edhe kur i pushkatonin thërrisnin : “Rroftë partia!”
Edhe populli nuk ja dinte kuptimin ideologjik partisë “së tij”. Dinte se ishte “e tij”, në kuptimin që nuk e lëshonte pushtetin, dhe që një herë në katër vjet, i zhvaste votën, pa vlerë, nën uturimën e daulleve dhe trokëllimat nëportë netëve të terrorit.
Kështu më një anë ishte populli dhe në anën tjetër partia “e tij” e gjithë popullit.
E kishte mirë Hannah Arendt kur thoshte se të nesërmen e rënies së Hitlerit, në Gjermani nuk kishte më asnjë nazist. Me rënien e komunizmit, nuk kishte më asnjë komunist. Ajo bën edhe ironi, por edhe e ka seriozisht, sepse do të thotë që populli ishte distancuar nga partitë e gjithë popullit që në fakt ishin vetëm të Liderit të vjetër. Partia ishte zhveshur nga anëtarët, nga populli po se po, ishte zhveshur edhe nga vetë drejtuesit e saj, madje edhe nga vetë Lideri, ishte bërë si një autobuz që zbret një disheze pa shofer!
Më kujtohet në 90 kur drejtuesi i atëhershëm thërriste nëpër mbledhje : Ku janë komunistët!
E them edhe një herë, Pluraku ka vdekur, nuk e pyes dot më nëse heq ndonjë paralele këtu për të krahasuar kohët, dhe për të thënë që përtej ideologjive boshe dhe rrenacake, historia, ajo Historia që ka ligje të hekurta, përsëritet.
Rrota e historisë si rrota e mundimit!
Komente








