TIRANE - Në reagimin e parë publik në lidhje me skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, guvernatori Ardian Fullani shkarkon përgjegjësinë nga vetja, duke ia lënë tashmë “topin” Prokurorisë.
 
Në një konferencë për mediat, Fullani përjashtoi mundësitë e shkeljeve ligjore nga ana e Këshillit Mbikqyrës, duke u shprehur se problemi ka qëndruar tek personeli i Bankës, dhe cdo përgjegjës duhet të vihet para ligjit.
 
“Infrastruktura teknologjike garanton monitorimin në kohë dhe të vazhdueshme të ambjenteve. Inventarizimi dhe kontrollet periodike janë kryer, mospërputhja me rigorozitet e disa punonjësve me dytyrën ka çeduar personin, njeriun, ka krijuar hapësire për përvetësimin e vlerave monetare. Në asnjë mënyrë nuk ka rënë sistemi i kontrollit, është një ngjarje e rëndë e cila na ngarkon me përgjegjësi të gjithëve, ne po nxjerim përgjegjesitë tona. Nuk ka shkelje ligji nga Këshilli Mbikqyrës. Në këto elementë ka çeduar elemeti njeri dhe do dënohen sipas ligjit, ata që janë dhe të tjerë”, u shpreh guvernatori Fullani.

Për vjedhjen janë arrestuar dy punonjësit Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, pasi auditi i bankës zbuloi dy skemat e vjedhjes, atë të kartmonedhave që i nënështrohet procedurës së asgjesimit, si dhe për paratë e vjedhura nga kutitë siç importohen nga Zvicra dhe zëvendësimi i tyre me libra.

Fullani: Thesari i BSH nuk u prek, ruhet ne ambjente te sigurise se larte
Kreu i Bankës së Shqipërisë tha se vjedhja e 713 milionë lekëve nuk preku thesarin që ruhet në ambjente të sigurisë së lartë.
 
 “Rezervat e parave kesh që quhet thesar, të magazinuara në Bankën e Shqipërisë në ambientet e sigurisë së lartë nuk janë prekur. Kombinimi i një sërë procedurash dhe mjetesh teknologjike të avancuara bënë të mundur pengimin çdo tentative individuale apo grup, për të aksesuar dhe manipuluar rezervat monetare”, tha Fullani.

Fullani: Bashkepunim me Akuzen dhe Parlamentin. BSH beri kallezimin ne prokurori, presim rezultate
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë shprehu gadishmërinë për të bashkëpunuar jo vetëm me institucionet e drejtësisë por edhe me Parlamentin, për t’i shkuar deri në fund zbardhjes të supervjedhjes prej 713 milionë lekësh.
 
“Banka e Shqipërisë ka bërë kallëzimin penal në Prokurori për punonjësit që kanë përvetësuar vlera monetare. Sot në Komisionin e Ekonomisë me mjaft përgjegjësi u diskutuan të gjitha problemet që lidhen me këtë çështje, bashkëpunim i ngushtë me parlamentin, me Prokurorinë gjithë institucionet e angazhuara me ligj për këtë cështje. Natyrisht që hetimi administrativ nga ana e Bankës së Shqipërisë për të përcaktuar përgjegjësinë individuale është në proces, ndërkohë që Prokurororia nga ana e saj është duke kryer hetimet e duhura për të vendosuir të gjithë personat para ligjit. Ju kërkoj kujdesin ndaj kësaj çështjeje të rëndë dhe duke iu garantuar  që ne do t’i shkojmë deri në fund asaj, duke nxjerrë përgjegjësitë përkatëse për gjithsecilin në bashkëpunim të ngushtë me organet përkatëse. BSH pret përfundimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë por po punohet mbjaft ngushtë që të zbardhet e vërteta dhe garantuar funksionimin e të gjitha proceseve", theksoi kreu i Bankës së Shqipërisë. 

Fullani: Kemi marre masat, kjo situate nuk ndikon në prishjën e stabilitetit ekonomik 
Ai tha gjithashtu se banka e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat për funksionimin dhe vijimin normal të punës në institucionin më të lartë financiar në vend, duke shtuar se kjo situatë nuk ndikon në prishjën e stabilitetit ekonomik në sistemin financiar në vend.

“BSH garanton se përmbush me sukses funksionin e saj në ruajtjen e stabilitetit ekonomik në sistemin financiar në vend. Banka i ka të gjitha instrumentet dhe po punon nga të gjitha organet në mënyrë që jo vetëm të riparojë këtë dëm, por njëkohësisht të garantojë funksionimin normal dhe të marrë masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten”, u shpreh Fullani.