Gjykata e Apelit vendosi të rrëzojë vendimin e 5 Shtatorit të dhënë në mungesë ndaj Fullanit, duke ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Tashmë ish-guvernatori do të qëndrojë në shtëpi deri në përfundim të hetimeve për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit në Linzë. Por edhe pse një vendim që e nxjerr Fullanin nga qelia e paraburgimit të institucionit të vuajtjes së denimit 302 ku ndenji për 10 ditë, avokati i tij Maks Haxhia e konsideroi “arrestin e shtëpisë” pozitiv, por jo aq sa pritshmëritë për të parë Fullanin të lirë pas asnjë masë. Në këto kushte ai deklaroi se do ta çojë vendimin në rekurs.
Ndërsa, dy orë pasi Apeli ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë për Ardian Fullanin, ish-guvernatori i BSh ka lënë ambientet e paraburgimit “Mine Peza” për t’iu drejtuar banesës së tij. Është pritur zbardhja e vendimit të Gjykatës së Apelit, dhe fill pas kësaj ka zgjatur vetëm pak minuta verifikimi i udhrit dhe Fullani la ambientet e burgut “302”. Fullani është larguar nga paraburgimi me një automjet të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe vetëm pak minuta më pas ka mbërritur në ambientet e shtëpisë së tij që ndodhet në zonën e bllokut, ku i ndalohet komunikimi me çdo person tjetër që nuk është familjar i tij.
(Ne foto: Fullani duke u shoqeruar ne banesen e tij ne ish-bllok. Foto A.Çakshiri/Shqiptarja.com)
(Ne foto dhe video: Mberritja e Fullanit ne banesen ne zonen e ish-bllokut)
Sakaq, me një vendim tjetër, Gjykata e Apelit la në burg Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që dha në mungesë “arrest me burg”, përballë akuzës së “shpërdorimit të detyrës”. Por në katër vendime të tjera, Apeli vendosi të rrëzojë Prokurorinë dhe të japë “arrest shtëpie” për katër inventarizues të parave në thesarin e shtetit në Linzë, Ilir Dedjen, Bahri Allushin, Fatbardha Gurthin dhe Gentjan Jahjan.
Seancat e shqyrtimit të ankimimit të tyre u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe të veçanta për secilin nga të pandehurit.
Fullani mbërriti në Gjykatën e Apelit rreth orës 12:00. Ai u soll nga qelia e paraburgimit në burgun 302 me furgonin e policisë, dhe doli prej tij i prangosur duke u shoqëruar nga efektivët drejt ambjenteve të gjykatës. Sakaq, rreth orës 10:45 në ambientet e Apelit u paraqit kryeinspektorja Golemi dhe inventarizuesi Ilir Dedja dhe më pas dhe inventarizuesit e tjerë.
(Ne foto: Ardian Fullani duke u shoqëruar me pranga në duar nga efektivët e policisë, drejt Gjykatës së Apelit)
VIDEO/Erik Fullani, djali i ish-guvernatorit në Gjykatën e Apelit