Një ndeshje plot emocion dhe e mbushur me gola ishte ajo e raundit të 26-të të Premier League mes Manchester City-t dhe Tottenham, e cila u mbyll me rezultatin 2-3. Ekipi i trajnerit Conte ka vënë në vështirësi kryesuesit e elitës së futbollit anglez. Ishin “Spurs” ata që zhbllokuan rezultatin e kësaj super sfide, duke shënuar në minutën e 4’ me Kulusevskin. Ndërsa në minutën e 33’ ekipi i Pep Guardiolës do të barazonte me golin e Gundogan.
Tentativat nuk munguan as në minutat e mbetura të pjesë së parë, por asnjë prej tyre nuk mundi të finalizonte. Megjithatë minuta e 59’ solli një super Kane, i cili i dhuroi golin e dytë ekipit të tij, duke i frymëzuar për vazhdimësinë e ndeshjes. Kane goditi sërish portën e Ederson në minutën e 73’, gol i cili u anulua për pozicion jashtë loje.
“Citizenët” vijuan sulmin, derisa fituan penallti pas një prekje me dorë të topit nga ana e Romeros dhe më pas Mahrez barazoi vlerat për vendasit në minutën e 90+2’. Gëzim që nuk zgjati shumë për skuadrën e trajnerit Guardiola, vetëm 3 minuta më pas Kane do të realizonte dopietën personale dhe do t’i dhuronte golin e tretë Tottenhamit, duke fituar në transfertë ndaj ekipit më të mirë të momentit në Premier League.
Pas kësaj ndeshje Manchester City vijon të mbajë kreun e renditjes me 63 pikë, duke u ndalur në “arratinë”, teksa Tottenham kalon në vend të shtatë me 39 pikë.