Mëngjesi i kësaj të shtune ka nisur me fluks të madh automjetesh në pikën kufitare të Morinës ku shumë shqiptarë nga Kosova i janë drejtuar bregdetit shqiptar për të kaluar fundjavën e fundit të gushtit, përpara nisjes së vitit të ri shkollor më 1 shtator.

Fluksi më i madh është regjistruar nga ora 05:00 deri në 07:00, ndërsa herë pas here janë krijuar kolona automjetesh nga ana e territorit të Kosovës. Për automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë po zbatohet procedura e përshpejtuar, pa kontrollet e zakonshme kufitare, e cila do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.

Edhe shifrat e autoriteteve kufitare konfirmojnë lëvizjet e larta. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri 52 mijë e 864 shtetas dhe 13 mijë e 531 automjete.

Në të njëjtën periudhë, nga vendi kanë dalë 35 mijë e 72 shtetas dhe 11 mijë e 238 automjete.

Fluksi mbetet i lartë edhe në bilancin e pesë ditëve të fundit. Nga 24 deri më 28 gusht, përmes Morinës kanë hyrë në Shqipëri 152 mijë e 694 shtetas dhe 46 mijë e 870 automjete.

Ndërkohë, në dalje janë regjistruar 121 mijë e 846 shtetas dhe 37 mijë e 148 automjete.

Pika e Morinës mbetet një nga akset kryesore të lëvizjes mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa autoritetet vijojnë menaxhimin e fluksit për të shmangur radhët dhe për të garantuar lëvizje sa më të shpejtë të udhëtarëve.