/ ATSH/  - Brezovica ose Bredhoni, emri shqip i saj nga fjala "bredh", (vend i pyllëzuar me bredh), është qendër kosovare e turizmit dimëror dhe veror në Malet e Sharrit.
Në periudhën e dimrit, ato janë më të populluara se kurrë. Vizitorë nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe nga vende të tjera vijnë e kalojnë fundjavën.
Fushat e skive gjenden 12 km larg fshatit me të njëjtin emër në komunën e Shtërpcës. Veç peizazhit të bukur natyror, akomodimit dhe shërbimit mjeshtëror, më të interesuarit janë amatorët e skive.
Është e vështirë të skijosh për herë të parë, por aty ka dhe instruktorë të posaçëm që vihen në dispozicion të skiatorëve të rinj. Mësueset e skive Nebije dhe Nazan, bëjnë një punë pasionante për t'u mësuar rrëshqitjen në borë të rinjve dhe fëmijëve të cilët kalojnë fundjavën në këtë pikë turistike.