TIRANE- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto ka reaguar sërish ditën e djeshme në lidhje mbi çështjen e furgonave 8+1. “Tregu sigurisht ka kohën e vet të rregullohet, ndërkohë që ne kemi dhënë zgjidhjen tonë për këtë kategori automjetesh”, u shpreh Haxhinasto. Sipas ministrit të Transporteve, çështja e furgonave 8+1 duhet të marrë zgjidhje njëherë e përgjithmonë dhe sipas sugjerimeve të bëra kjo kategori e mjeteve të punojnë brenda qarqeve të caktuara, ku edhe hapësira dhe mundësitë për të punuar janë më të mëdha.

Prej afro 40 ditësh shoferët e taksive 8+1 të mbështetur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, janë në protestë në kundërshtim të urdhrit të ministrit të Transporteve për rivendosjen në fuqi të ligjit të vitit 1998 që i ndalon shoferët të marrin pasagjerë në rrugët e kthimit. Gjatë protestave të tyre të zhvilluara para kryeministrisë dhe kuvendit, drejtuesit e mjeteve kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Transporteve. Sipas deklaratave të bëra publike në media, drejtuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura do të zhvillojnë një takim mbi këtë çështje me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.

Kreu i sindikatave Gëzim Kalaja, ka deklaruar se pritshmëritë më të mëdha të 20 mijë shoferëve të furgonave, janë te kreu i Kuvendit Meta, i cili ka qenë i vetmi nga mazhoranca që ka deklaruar se çështja e tyre mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet dialogut.

Shkrimi u publikua sot (12.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)