FUSHE KRUJE - Dalin detaje të reja nga shpërthimi me tritol mbrëmjen e së martës në Fushë-Krujë.

Prishja e fejesës mes vajzës të autorit që vendosi tritolin me kushëririn e pronares së biznesit të dëmtuar, dyshohet se është shkaku i shpërthimit.

Mësohet se shpërthimi kishte si objektiv rrobaqepësinë e Fatlinda Tagës dhe bashkëshortit të saj. Biznesi i tyre ndodhej pak  metra nga vendi ky ndodhi shpërthimi.

Bashkëshorti i Fatlinda Tagës ka deklaruar për Report TV se tritoli ishte futur në një qese dhe mendoi se kishte mbeturina në të. Sipas tij, qesja ishte e vendosur në derën e biznesit të tij.

Ai e ka shkelmuar atë dhe pak çaste më vonë ka shpërthyer, por fatmirësisht pa të lënduar.

Sipas hetimeve vajza e Skënder Vathit, i arrestuar tashmë, ishte fejuar disa muaj më parë me kushëririn e Fatlinda Tagës, pronarja e rrobaqepësisë. Kjo e fundit kishte shërbyer si shkesë, por dyshohet se me këmbënguljen e saj, fejesa ishte prishur.

Lajmi konfirmohet nga burime pranë policisë lokale, e cila arrestoi tre persona për ngjarjen.

Në pranga ranë 49 -vjeçari Skënder Vathi, autori kryesor i dyshuar, Erjon Tema dhe Erges Duka.

(er.nu/shqiptarja.com)