Edhe pak ditë, Partinë Demokratike e ndajnë nga votimi për herë të parë në historinë e saj 23-vjeçare, me mënyrën “një anëtar, një votë”.
Menjëherë pasi kryetari në detyrë Berisha dha dorëheqjen, pas humbjes së zgjedhjeve, nisën përçapjet dhe zvarritjet për shpallen e kandidaturave e së fundmi, kryesia e PD-së miratoi dy, Sokol Olldashin, Ministër i Transporteve dhe anëtar kryesie, si dhe Lulzim Bashën, gjithashtu anëtar kryesie dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Të dy kandidatët, të cilët anëtarësia do t'i votojë më 22 korrik, u turrën në bazë. Nisën të takojnë njerëz, të flasin me ta e të hiqen sikurë i duan shumë, sikurë punojnë vetëm për ata. Takuan aq njerëz, sa Olldashi e Basha, ka të ngjarë të mos i kenë takuar që në vitin 2005, kur PD u bë mazhorancë dhe ata u bënë deputetë e ministra. Shumë mirë deri këtu, megjithëse anëtarësisë i duhet qëndruar gjithmonë afër, jovetëm në fushata apo kur duan që të marrin frenat e partisë më të madhe në kampin e djathtë. Por, mënyra e fushatës së Olldashit dhe Bashës e sidomos arsyeja pse kërkojnë votën e anëtarësisë, nuk duket fort e ndershme e bindëse për votuesit brenda kampit blu. Në të gjitha takimet e tij me bazën, Olldashi ka sulmuar në mënyrën më të keqe Lëvizjen Socialiste për Integrim, por edhe Partinë Socialiste. Gjithashtu edhe Basha. Anëtarësisë së PD-së, mendoj se do t'u interesonte më shumë të dinë, se si do ta riorganizojë Olldashi partinë, si do t'i mbajë të ngritura dhe efiçente strukturat, si do të stimulohen ata anëtarë e militantë që kanë vite që aderojnë e punojnë për PD-në, sesa lufta me "mullinjtë e erës". Anëtarët e PD-së, nuk i "qajnë hallin kalorësit, se i varen këmbët", por duan të njohin platformat reale të kandidatëve për karrigen e kryetarit.

Sokol Olldashi, në të gjitha takimet e tij me elektoratin, ka folur shumë pak për platformën e tij, se si mund ta kthejë PD-në në pushtet. Them shumë pak, sepse më shumë ka sulmuar e fyer LSI-në, duke i vënë lloj-lloj epitetesh, sesa ka treguar për mënyrën, se si mund ta ribëjë PD-në mazhorancë, nëse do të zgjidhet kryetar i saj. Në vitin 2009, kur PD-ja nuk krijonte dot qeverinë me numrin e deputetëve që mori, ftoi LSI-në në qeverisje. Besoj, për të mos pasur një krizë politike në vend, e cila do të shkaktonte shumë probleme për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Por, ndoshta dhe se pushteti është i ëmbël, të paktën kështu thonë. Olldashi, edhe në atë kohë ishte anëtar i kryesisë së PD-së dhe nuk u dëgjua kurrë të dilte kundër krijimit të qeverisë me LSI-në brenda saj. As gjatë qeverisjes 4-vjeçare nuk u dëgjua ndonjëherë të thoshte, se ishte i pakënaqur me performancën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, me punën e ministrave, zëvendësve, drejtorëve e deri te specialistët. As Olldashi dhe asnjëri prej tjerëve. Për t'u rikthyer edhe njëherë në 2009, përse Olldashi nuk kundërshtoi që në atë kohë, që forca politike, e cila sot zyrtarisht ka mundur PD-në, nuk duhej të ishte pjesë e koalicionit qeverisës?! A mos vallë i dhimsej pushteti Olldashit e shumë e shumë të tjerëve dhe mbylli njërin sy e njërin vesh, meqë e dinte se do të ishte ministër edhe për katër vite të ardhshme?! Nëse nuk funksionuan ministritë "e majme" që drejtoi Olldashi, apo edhe Basha deri në 2011, gjatë bashkëqeverisjes me LSI-në, përse nuk e ngriti zërin kurrë? Përse nuk dha dorëheqjen nga ministër e të mbante vetëm mandatin e deputetit? Këtë të fundit nuk ia hiqte dot njeri, se ia kishte dhënë populli, por siç duket, rroga e deputetit dhe benefitet nga ky mandat, mund të ishin zero, krahasuar me ato të një ministri transportesh e punësh publike. I është ankuar ndonjëherë shefit të tij në ekzekutiv dhe parti për pakënaqësitë e tij ndaj LSI-së?

Statistikat, tashmë zyrtare të numrave për në parlamentin e ri që do të konstituohet në muajin shtator, tregojnë se Partia Demokratike ka marrë më pak deputetë se në vitin 1997. Për atë periudhë, kishte një justifikim: Na e morën pushtetin me armë. Po për vitin 2013 çfarë justifikimi ka? Arsyet përse PD-ja u katandis në një "stan" me deputetë, i dinë të gjithë, demokratët e çdokush tjetër, që nga mospërfillja e elektoratit, mungesa e mbështetjes për mijëra të tjerë, arroganca e shumë ministrave dhe thuajse e pjesës më të madhe të administratës publike, babëzia për para etj., etj. Ndërsa Partia Socialiste ka një rritje të vogël, me afro një për qind, krahasuar me vitin 2009. Atëherë, Olldashi, por shpeshherë dhe Basha, kanë gjetur si justifikim LSI-në për humbjen e tyre. Në fakt, kështu është. LSI u votua masivisht nga shqiptarët, si partia e shpresës së tyre, si partia që i mbështet, si forca politike që ka dhënë prova të forta që është faktor e që kontribuon për zhvillimin e vendit. LSI nuk duhet sulmuar se fitoi, aq më pak, kur ke "ngrënë" bënëfitet e pushtetit ministor katër vjet, falë saj. LSI u votua për arsyet që i dinë të gjithë, mbështetja e saj për elektoratin, mbajtja e tij afër, përpjekjet e vazhdueshme për punësim, zhvillim dhe integrim.

Edhe diçka për Z.Basha, që sapo mu kujtua. E dëgjova teksa thoshte para demokratëve në Shkodër, duke iu drejtuar Edi Ramës, se "kush të mund një herë, të mund përseri". Qëndron kjo, në shah, domino, futboll, por edhe në gara politike. Por, Z.Basha, as Olldashi dhe elektorati i PD-së, nuk duhet të harrojnë, se Basha e mundi Ramën në vitin 2011, për postin e kryebashkiakut të Tiranës, me votat e Lëvizjes Socialiste për Integerim. Nëse nuk do të kishte këto vota të partisë që sot fyejnë e sulmojnë, Basha do të ishte i humbur me mijëra vota diferencë, siç ndodhi me Olldashin në vitin 2007.

Gara brenda PD-së, mes Olldashit e Bashës, sigurisht i bën mirë kësaj partie, pasi është e para pas 23 vitesh demokraci, që zhvillohet në mënyrë demokratike. Të dy kanë shumë për të thënë për vete, për partinë, të shkuaren dhe të ardhmen e saj. Duke iu uruar suksese të dy kandidatëve, do t'ju thoja, që është e pamoralshme, që të pështyjnë aty ku kanë ngrënë 4 vjet. Eshtë e pandershme dhe këtë e dinë edhe ata që do t'i votojnë me 22 korrik. Elektorati e strukturat nuk janë bagëti, që bëjnë apo dëgjojnë vetëm çfarë thoni ju. Edhe elektorati e kupton dhe beson fare mirë, që Ju Z.Olldashi e gjithë të tjerët, kundërshtarë e mbështetës tuajt brenda PD-së, u dhjamosët në pushtet falë LSI-së, falë numrit të deputetëve të saj që mori në vitin 2009 dhe pamundësisë së PD-së për shkak të numrave, për të formuar qeverinë pa Lëvizjen Socialiste për Integrim.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)