Një ngjarje e rëndë është shënuar në Fushë-Krujë ditën e djeshme kur një person me inicialet A.B ka hedhur në oborrin e banesës së shtetases M. F, në lagjen Kastrioti, një pako me lëndë plasësë artizanale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat RENEA që pas verifikimit ka rezultuar se brenda pakos kishte një sasi të vogël lëndë plasëse artizanale, që fatmirësisht nuk ka shpërthyer.

Menjëherë më pas policia ka bërë edhe identifikimin e autorit të cilin më pas e ka arrestuar. Por përse ndodhi kjo ngjarje? Jo më larg se dje policia e Krujës arrestoi katër persona, të cilët përveçse merreshin me kultivimin e lëndëve narkotike, drogonin edhe abuzonin seksualisht me një 17-vjeçare, e cila është e bija e shtetases që po dje i kanë hedhur lëndën plasëse në oborr.

Ngjarja ka ndodhur për të kërcënuar familjarët, pasi vajza bëri denoncimin në polici, ndërkohë që 23-vjeçari që hodhi tritolin raportohet të jetë një nga dy personat e shpallur në kërkim, por për këtë ngjarje të rëndë. Report Tv mëson se prindërit e vajzës janë divorcuar, ndërsa i ati ka qenë disa herë i dënuar për trafik droge në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Ai kishte vetëm 3 muaj që ishte liruar nga qelia.

Nisur nga denoncimi, i bërë në dhjetor të 2019, policia vendosi në përgjim personat në fjalë. Gjatë hetimeve më pas rezultoi se përveçse shfrytëzonin 17-vjeçaren për prostitutë ata merreshin edhe me trafikimin e lëndëve narkotike. Ndërkohë 17-vjeçarja gjatë kësaj periudhe edhe është droguar pa pëlqimin e saj.

 Ekspertët e policisë te banesa ku u vendos tritoli