FUSHE-KRUJE- Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka ndodhur pas mesnate rreth orës 01:10 në lagjen ‘Kastrioti’ në Fushë Krujë. Një sasi e konsiderueshme eksplozivi i është vënë një lokali, i cili ndodhet vetëm 200 metra larg komisariatit të qytetit.

Nga uniformat blu mësohet se lokali ku ka ndodhur shpërthimi është në pronësi të vëllezërve Nik dhe Miri Tali. Dy vëllëzërit shprehen se nuk kanë pasur konflikte të mëparshme, për rrjedhim ende nuk e dinë se për c’arsye prona e tyre eshte sulmuar me tritol. Sipas burimeve, bëhet e ditur se shpërthimi ka qënë i fuqishëm pasi në pallatet e banimit përreth ka pasur dëme materiale, por pa të lënduar në njerëz.

Në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu të qytetit, duke filluar hetimet në disa pista, për të zbuluar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarje. 

Në Fushë-Krujë shpërthimet me tritol kanë qenë të shpeshta, veçanërisht në qendër të qytetit që ndodhet dhe komisariati i policisë.

Redaksia Online
(d.a/Shqiptarja.com)