Klubi i futbollit të Tiranës i ka dhënë lamtumirën e fundit Osman Reçit, ish-futbollist i njohur i bardhebluve dhe të disa ekipeve në kampionatin shqiptar.

Reçi u nda nga jeta në moshën 84 vjeçare. Karriera si futbollist e Osman Reçit shtrihet në vitet 1947-1960, me fanellën bardheblu, por edhe me Partizanin, Vllazninë dhe Dinamon. Reçi është grumbulluar disa herë edhe me ekipin kombëtar të futbollit për cilësitë dhe talentin.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Reçi nuk u largua nga futbolli, por vazhdoi punën si trajner i ekipeve të moshave dhe zbulues talentesh. Homazhet për Osman Reçin u zhvilluan sot në ambientet e Klubit të futbollit të Tiranës.

Shumë miq, kolegë, të afërm dhe familjarë i dhanë lamtumirën e fundit, Reçit, i cili do të ngelet gjatë në memorien e futbollit shqiptar për kontributin që ka dhënë ndër vite brenda dhe jashtë fushës së blertë.



d.bshqiptarja.com