Të hënën Sekretariati i Etikës do të mblidhet për të shqyrtuar 2 kërkesat e mbërritura për përjashtimin e 3 deputetëve pas seancës me tone fyese që degradoi deri në përplasje fizike të enjten e shkuar.
Ishin demokratët të parët që kërkuan përjashtimin e Taulant Ballës me 60 ditë, pasi duke iu referuar një numri telefoni 0900, sipas tyre ai “ka përdorur një gjuhë ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe të papranueshme në drejtim të deputetes Albana Vokshi, duke cenuar rëndë dinjitetin e saj”, thuhet në kërkesën e PD.
Ndërsa PS kërkon përjashtimin me 10 ditë për Gazment Bardhin, i cili po ashtu përdori gjuhë të papranueshme në Kuvend si dhe 30 ditë për Klevis Balliun që shkuli mikrofonin dhe tentoi të godiste kreun e grupit të PS.
Nëse Sekretariati do të pranojë kërkesat, atëherë këta 3 deputetë nuk do të mund të marrin pjesë as në seancën e 12 marsit, kur shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e ministres të shkarkuar të Infrastrukturës dhe ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku.
Komente









