Sekretariati i Etikës mblidhet sot për të shqyrtuar dy kërkesat për përjashtimin e Taulant Ballës, Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut pas seancës në Kuvend që degradoi në fjalor vulgar dhe përplasje fizike.
Në orën 14:00 do të shqyrtohet kërkesa e PS, ndërsa në 15:00 ajo e PD.
Fillimisht ishte grupi parlamentar i PD që kërkoi përjashtimin e Ballës me 60 ditë nga Kuvendi pas komentit të tij për Albana Vokshin, “për ty kemi numrin 0900”. Në kërkesën e PD thuhet se kreu i grupit parlamentar të PS “ka përdorur një gjuhë ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe të papranueshme në drejtim të deputetes Albana Vokshi, duke cenuar rëndë dinjitetin e saj”.
Nga ana tjetër, PS kërkon përjashtimin e Bardhit me 10 ditë nga punimet e Kuvendit për “për pengim të zhvillimit të seancës dhe përdorim të gjuhës fyese”. Ndërsa për Klevis Balliun kërkohet 30 ditë përjashtim për “sjellje agresive dhe ka dëmtuar pajisjet e sallës së Kuvendit”. Balliu shkuli mikrofonin dhe tentoi të godiste Ballën.
Miratimi i dy kërkesave nga Sekretariati do të bënte që të tre mos të jenë të pranishëm në seancën e 12 marsit ku do të votohen raportet e PS dhe PD për kërkesën e SPAK lidhur me arrestimin e Belinda Ballukut.
Komente










