Fyle: Zgjedhjet me standarde
Të mos ketë vend për kontestime

Fyle: Zgjedhjet me standarde<br />Të mos ketë vend për kontestime
TIRANE - "Just BE" është konferenca që Bashkimi Europian organizon në Tiranë me qëllim nxitjen e qytetarëve për të luajtur një rol sa më aktiv në procesin e integrimit duke rritur llogaridhënien ndaj përfaqësuesve politikë. Jo vetëm kaq, por për të theksuar se pa forcimin e institucioneve demokratike dhe përgatitjen e zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, demokratike, në mënyrë që të mos lihet vend për kontestim, nuk ka integrim në Bashkimin Europian.

Në konferencë, e cila nisi në orën 10:00, janë të pranishëm dhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan, ambasadori i KE-së në Tiranë Ettore Sequi por dhe përfaqësues të medias, shoqërisë civile e përfaqësues të biznesit, të interesuar për përparësitë që jep integrimi për sipërmarrjen shqiptare.

"Ju jeni pjesë e procesit, dhe zëri juaj duhet të dëgjohet. Duhet të kërkoni llogari përfaqësuesve tuaj politikë."- tha Kukan në fjalën e tij duke nënvizuar se pa forcimin e institucioneve demokratike nuk ka integrim në BE.  “Ka ardhur koha që Shqipëria të tregojë rezultatet për t'u bërë vend kandidat dhe qytetarët të përfitojnë nga çelja e negociatave për anëtarësim.”- tha Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle duke shtuar se 2013 është viti i mundësive për Shqipërinë e Shqiptarët.

Komisioneri për zgjerimin e BE-së duke u ndalur në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, kërkoi me forcë të organizimin sipas standardeve europiane çka do të ndalonte ngërçin e krijuar pas zgjedhjeve të 2009 që e vendosën Shqipërinë në një gjendje stanjacioni për 2 vite.  Prandaj BE, KiE dhe organizata ndërkombëtare po bëjnë të pamundurën të ndihmojnë politikanët dhe KQZ e OJQ, po monitorojnë procesin dhe në fund pas zgjedhjeve do dalin me një raport.

FYLE: ORGANIZONI ZGJEDHJE ME STANDARDE, TE GJITHE KENI PERGJEGJESI

Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme Fyle vuri theksin në organizimin e tyre sipas standardeve demokratike në mënyrë që të mos ketë vend për tu kontestuar.
“Është përgjegjësi e të gjithë forcave politike por dhe e gjithë shoqërisë shqiptare të kontribuojnë dhe të garantojë që zgjedhjet e ardhme të arijnë një nivel të lartë demokratik që nuk do të lënë vend të kontestohen. Duke siguruar që kjo gjë do bëhet do të na çojë një sinjal të fortë të pjekurisë politike dhe angazhimit ndaj vlerave demokratike”.- tha Fyle.

FYLE: 2009 TE MOS PERSERITET E LA VENDIN NE NGERC PER DY VITE

Gjatë diskutimit në konferencën e cila zgjati për më shumë se 2 orë Fyle shtoi se “Ka ende kohë të punojmë shumë që këto zgjedhje të jenë të mira e të ndershme, dhe pas zgjedhjeve të mos ketë për asnjë hapësirë për të vënë në pikëpyetje rezultatin. Kam besim se do të ketë disa elementë,  por përtej kësaj ajo që kemi parë pas 2009 nuk mund të përsëritet sepse e çoi vendin në një ngërç për 2 vite të tëra. Prandaj dhe BE e KiE po bën të pamundurën që të ndihmojnë politikanët dhe KQZ e OJQ që të ndjekin zgjedhjet dhe të japin rezultatet që të kenë pritshmërinë e qytetarëve”

FYLE: S’KAM PARE NJE POLITIKË KAQ TE POLITIZUAR
“Kurrë nuk e kam kuptuar si ka mundësi që në një vend ku kemi mbështetjen më të madhe të anëtarësimit në të njëtën kohë keni një politikë kaq të polarizuar dhe një mur kaq të madh mes asaj që duan qytetarët dhe atë që mund të japin politikanët. Kam mendimin se jo të gjithë butonët, por Kukan, ka shumë të drejtë kur thotë na ndihmoni nëse ka butona të tjerë, ti shtypim. Gjithnjë mund të ketë buton diku."

FYLE: CFARE PERFITON BIZNESI E QYTETARET ME INTEGRIMIN E SHQIPERISE

Komisioneri i Zgjerimit të BE-së u përqëndrua në interesin “shumë të madh” që biznesi, shoqëria civile por dhe qytetarët do të përfitojnë me integrimin në BE, nga ku në Shqipëri hyjnë 80 % e importeve.

“Integrimi europian do të sjellë stabilitet dhe begati. Do të jetë i ndihmuar nga asistenca financiare, duke hapur dyer dhe dhënë mundësi për punësim më të mëdha për bizneset. Aplikimi i standardeve evropiane do japë përmirësime të mëdha sa i takon mbrojtjes së të drejtave të njeriut, luftës korrupsionit por dhe përmirëson në mënyrë radikale cilësinë e jetës. Shqiptarët do të kenë më shumë mundësi për të studiuar dhe punuar në BE."

FYLE: 6 ARSYET PSE U KTHEVA NE SHQIPERI, RESPEKTOJME ZGJEDHJEN QE DO BEJNE QYTETARET

Fyle kërkoi të sqarojë me 6 pika përse zhvillohet konferenca tani dhe këmbënguljes për të qenë në Tiranë duke luftuar edhe me natyrën pasi dy herë i ra rrufeja avionit. Ai kërkoi të sqarojë edhe se Europa do të respektojë zgjedhjen që do të bëjnë zgjedhësit shqiptare dhe unë shpresoj që politikanët në Shqipëri të respektojnë rezultatet.  Ato janë:
"- Komisioni Evropian është i interesuar për Shqipërinë dhe jemi të angazhuar plotësisht që të ndihmojmë Shqipërinë për të arritur aspiratat evropiane. Do të vazhdoj që të vi në Shqipëri dhe të luftojmë edhe natyrën, sepse herën e fundit që isha këtu, dy herë i ra rrufeja avionit dhe sërish jam këtu.
- Duhet të intensifikohet dhe të fuqizohet angazhimi i klasës politike, pavarësisht se vëmendja e tyre është përqëndruar në zgjedhjet e ardhshme. Europa duhet të jetë prioritet në axhendën politike, Është shumë e rëndësishme.
-Nuk erdhëm këtu për tu bërë pjesë e fushatës politike, ne respektojmë zgjedhjen që do të bëjnë zgjedhësit shqiptare dhe unë shpresoj që politikanët në Shqipëri të respektojnë rezultatet.
-Ky aktivitet nuk është seri leksionesh, por një mundësi që ne të komunikojmë me njëri-tjetrin, të shkëmbejmë ide, mendime. Si duhet të mbajmë fokusin tek Europa, se si t’i mbajmë premtimet.  Eshtë një mundësi që të flasim drejtpërdrejt me median, biznesin.
Nuk dua që ne ta shikojmë këtë konferencë si një aktivitet të izoluar, por si një përpjekje nga ana jonë për të ndërtuar një bazë të fortë për një angazhim gjithnjë e me aktiv.”- u shpreh komisionari Fyle.

KUKAN: ZËNKAT E BRENDSHME TE MOS NDERPRESIN INTEGRIMIN
Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Kukan nënvizoi se axhenda e integrimit duket të mbetet prioritet jo vetëm në nivelin kombëtar e ndërkombëtar, "natyrisht nëse Shqipëria do të jetë e sinqertë në këtë proces"- tha Kukan dhe roli aktiv i qytetarëve është jetik. 

“Zënkat e brendshme dhe politikat partiake nuk duhet të ndërpresin procesin e integrimit. Është e rëndësishme të njohim dhe respektojmë rëndësinë e bashkëpunimit dhe të tejkalojmë dallimet tona që mund të jenë duke mbajtur peng procesin e integrimit”- theksoi Kukan.

Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin u ndal në forcimin e institucioneve demokratike dhe në rolin e qytetarëve për të kërkuar llogari përfaqësuesve politikë se çfarë po bëjnë me këtë proces.
"Ju jeni pjesë e procesit, dhe zëri juaj duhet të dëgjohet. Duhet të kërkoni llogari përfaqësuesve tuaj politikë. Bëjeni parlamentin një vend ku marrëveshjet të debatohen, qeveria të shpjegojë veprimet e saj dhe qytetatarët të jenë në gjendje të vëzhgojnë dhe të kenë mundësi të shikojnë jetën e vendit. Ju duhet të ndërtoni një vend me institucione të forta demokratike. Ne i njohim politikanët tuaj dhe e dimë që kanë mundësinë të integrohen dhe me shpejtësi por këto përpjekje duhet të kenë rrënjët në një bazë demokratike dhe efikase.”- tha Kukan.

Për kreun e delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin: “PE është avokat i fortë i Shqipërisë. Nëse do të forcojmë fushat që përmenda do bindim BE për arritjet e Shqipërisë”

KUKAN: SHPJETONI ME REFORMAT, FYLE PUNE TE MIRE
Kukan e quajti “të shkëlqyer” punën e Fyles për integrimin e Shqiëprisë në BE dhe bëri apel për të përshjejtuar reformat pasi vitin tjetër në PE do të jenë zgjedhjet dhe nuk dihet nëse Fyle do të mbajë sërish këtë post. Deklarata e Kukan u shoqërua me të qeshura nga vetë Fyle e Kukan i cili i rrahu shpatullat këtij të fundit në shenjë mbështetjeje.

SEQUI: SHQIPTARËT JANË EUROPIANË NË SHPIRT
Ambasadori Sequi vlerësoi të qënit europian dhe zbatimin e rregullave të përbashkëta nga shtetet që aderojnë në të. Ai tha se shqiptarët janë europianë në shpirt ose siç ka thënë shkrimtari ynë Kadare, "Europa është shteti natyror i Shqipërisë.Europa është një shpresë e madhe, që vlerëson vlerat dhe paqen”, përfundoi ai.

Pas konferencës do të prezantohet një portal web i Delegacionit të Bashkimit Evropian, që do të jetë një platformë për të gjithë ata që ndajnë interesin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

NUK TAKON ASNJE POLITIKAN

Në ndryshim nga vizitat e tjera në Shqipëri, zyrtarët e lartë evropian që kanë në dorë “çelësat” e integrimit të Shqipërisë në BE s’do takojnë asnjë nga krerët e politikës shqiptare. Takimet do t’i ketë vetëm me përfaqësues të medias, shoqërisë civile e përfaqësues të biznesit, të interesuar për përparësitë që jep integrimi për sipërmarrjen shqiptare.

Me sa duket, tonet e larta nacionaliste dhe mungesa e dialogut mes palëve ka sjellë dhe refuzimin e takimeve të delegacionit europian.
Ardhja në Shqipëri e zyrtarit të lartë të Bashkimit Evropian vjen pas një turi që ai përfundoi në Ballkan, në Beograd dhe më pas në Prishtinë, ku dha mesazhe të qarta për kushtet që kërkon BE që këto vende që të integrohen, dhe në këtë kontekst bëri thirrje për uljen e toneve nacionaliste mes palëve.
Vetëm para pak ditësh, teksa është lajmëruar ardhja e tij në Tiranë, Fyle komentoi qëndrimet e fundit të Berishës se nacionalizmi shqiptar është modern dhe euroatlantik, duke mos i shpëtuar ironisë me kreun e qeverisë shqiptare në nismën e këtij të fundit për të paraqitur në sytë e Evropës një nacionalizëm më të butë dhe në ndryshim nga nacionalizmat e tjerë ballkanikë.
Fyle tha se Shqipëria po tregon kreativitet me këtë shpikje të kryeministrit të saj. “Shqipëria tregon “kreativitet”. A është nacionalizmi, në formën që e dëgjojmë nga Tirana vërtet i bazuar në vlera Euroatlantike?” shkruante Fyle në Twitter. Pavarësisht se shumë kilometra larg kryeqendrës shqiptare dhe pa shqiptarë nëpër këmbë me sa duket komisionerit për zgjerim në Komisionin Evropian i kanë bërë shumë përshtypje deklaratat tërheqëse të kryeministrit shqiptar, me të cilat ka justifikuar nacionalzimin e tij të vonë.

Por dhe më parë komisioneri për zgjerimin në KE Fyle është shprehur i vendosur kundër deklarimeve nacionaliste të Berishës, duke thënë se këto bëhen për konsum politik për fushatën elektorale dhe se nuk duhet të përzihen në këto momente, kur qytetarët shqiptarë kanë halle të tjera. Njëherësh Fyle ka shprehur qëndrimin kundër dhe kërkesës për referendum nga ana Berishës për miratimin e dy ligjeve dhe rregullores së Kuvendit.

Ai ka kërkuar dialog mes palëve, si një kërkesë e vazhdueshme e partnerëve evropianë dhe jo kalimin e një rregulloreje Kuvendi në referendum. Qëndrimi ky i Fyles është kontestuar nga ministrja e Integrimit Bregu që tha se kur të shkonte në Bruksel do t’ia thoshte në sy vendosmërinë e qeverisë shqiptare për referendum për 3 ligjet. Zyra e komisionerit Fyle e përgënjeshtroi mundësinë e takimit, duke e refuzuar Bregun. Ndërsa Berisha ka hequr dorë së fundmi nga retorika nacionaliste, pas presioneve të BE e SHBA.

Redaksia online
(sg/arsh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Shpërthimi në banesën e gjyqtarit të Gjykatës së Shkodrës, reagon KLGJ: Dënojmë këtë akt kriminal, të zbardhet ngjarja

Shpërthimi në banesën e gjyqtarit të Gjykatës së Shkodrës, reagon KLGJ: Dënojmë këtë akt kriminal, të zbardhet ngjarja