Të gjithë palët në konflikt, po përpiqen të sajojnë arsye jo të vërteta, për konfliktin e nisur nga prishja e një ndërtese, mbi themelet e Kishës së vjetër të Shën Thanasit në Dhërmi. Kisha po përpiqet të sajojë si armike të ortodokësve një qeveri që ka kryeministër me nënë e babë ortodoks, zëvendëskryeministër ortodoks, dhe një shumicë administrate ortodokse, një një qark ku 7 nga 12 deputetë janë ortodoks, ndërsa popullsia nuk është në një raport të tillë.

Qeveria nga ana e vet po përpiqet të gënjejë duke gjetur si shkaqe mungesën e bazës ligjore për Kishën në Dhërmi, ekzistencën e një ndërtimi vërtet të shëmtuar dhe të padenjë për Kishën, dhe prishjen e varrit të misionarit Catalano. Media po gërmon më tej në një konflikt nga historia e treqind viteve më parë, i cili u ringjall mbi themelet e Kishës, duke u kthyer pikërisht aty ku ka nisur treqind vite më parë. Shkak i konfliktit nuk është qeveria jonë “antiortodokse”, se kjo do gajaste dynjanë, dhe as mungesa e bazës ligjore që sajon qeveria. Arsyeja është në thelb fetare dhe lidhet me betejën mes dy Kishave, asaj të Romës dhe asaj të Bizantit, të cilat e kanë parë Shqipërinë si një zonë luftë për të dobësuar njëra­ tjetrën.

Problemi është se Kisha e Romës ka dash të depërtojë në Shqipëri si nxitëse e identitetit shqiptar, duke hapur shkolla shqipe dhe duke dërguar misionarë që të largojnë vetëdijen që prodhon Kisha greke tek ortodoksit shqiptar. E vërteta e hidhur është se Patriarkana ka qenë gjithnjë në anën tjetër, në atë të zhdukjes së këtij identiteti. Misionarët shqiptarë të Kishës Ortodokse ndodh që janë vrarë dhe helmuar për këtë shkak dhe kjo Kishë nuk ka kërkuar kurrë falje. Por, pavarësisht kësaj, ortodokësit shqiptar ishin në shumicë rilindasit tanë më të denjë dhe ata që bënë Rilindjen e kombit shqiptar.

Kësaj historie nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Që të shpëtojmë prej saj, është mirë mos ta debatojmë tani dhe ta ringjallim. Po kush e ka në dorë këtë? I pari që duhet ta shmangë këtë konflikt, është kryepeshkopi Janullatos. Ai është sot një nga mendjet më të sofistifikuara të ortodoksisë botërore, dhe një njeri që e di çfarë bën. Që ti ikte kësaj beteje dhe që ta kthente çështjen aty ku është, tek nevoja për një Kishë të denjë ortodokse të Shën Thanasit, ai duhet të merrte bastunin dhe t’i binte me të, derës së kryeministrit të Shqipërisë. Të shkonte në zyrë të tij dhe t’i thoshte ku është problemi.

T'i kërkonte atij t’i jepte lejen e duhur për Kishën e Shën Thanasit dhe paratë që kryeministri premton se do t’i japë. Duke bërë këtë, kryepeshkopi ynë, do na hiqte paranojën që ne kemi për të, si misionar politik dhe jo fetar. Do na bënte të ishim në shumicë me të, pasi duket hapur që mungesa e lejes së ndërtimit për atë ndërtesë të shëmtuar, është sebep.

Shkaku është tek historia që tenton të shuhet aty nga njëra palë kundër tjetrës. Nga ana tjetër, Edi Rama nuk ka pse bën premtime për ndërtim kishe me lekët e shtetit, meqë ka kompleksin që po ua prish një ndërtesë të padenjë për një arsye tjetër, që nuk e thotë. Në Shqipëri, feja është e ndarë nga shteti dhe në buxhetin tonë nuk ka parashikime për ndërtime kishash e xhamish. Nëse qeveria dëshiron të japë para, ato duhet t’ia japë Kishës dhe ajo i administron vetë pasuritë e saj. Pra, këtu palët gënjejnë dhe nxiten të shkojnë në ekstreme me akuza për të mbuluar të vërtetën historike, që u ngjall nga prekja e varrit dhe Kishës.

Aq e vërtetë është kjo, sa ortodoksët e Dhërmiut, janë gati të mos ketë më kishë fare, vetëm të mos rivarroset aty misionari Catalano , ndërsa Qeveria është gati të bëjë një Kishë më të bukur se ka qenë njëqind vjet më parë, vetëm që aty të rivendoset sërish varri i misionarit Catalano. Pra, shteti realisht ka hyrë në një betejë që ndan historinë e Romës nga ajo e Bizantit, dhe përmes kësaj përfshirje, ka nxjerrë në pozitë të vështirë kryepeshkopin e Kishës sonë, i cili shkoi tek llogorja e vjetër për të kërkuar ndihmë. Për të banalizuar fare këtë punë, flet dhe Lulzim Basha, i cili me këtë rast shpreson se do ta sjellë Greqia në pushtet, dhe dërgon dhe Aldo Bumçin me Arben Ristanin.

Pas ca kohësh në Dhërmi do ketë një Kishë të re të Shën Thanasit, të bukur dhe ndoshta komode, do ketë dhe një varr, qoftë dhe simbolik të misonarit Catalano, por paqe nuk do të ketë. E vetmja gjë e shenjtë në këtë histori janë gënjeshtrat që thuhen sot për një betejë që kanë shekuj që nuk e kanë zgjidhur. Është gabim të rihyjmë në luftën e tyre, po më gabim është të mos themi ku është problemi. Është tek gënjeshtrat e “shenjta” . 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)