Shpresojnë se këtë ditë rrjetat do tu kenë zënë peshkun që kërkojnë. Por më kot, përsëri gaforret blu i kanë pushtuar. Në çdo vend tjetër të botës, peshkatarët do ti gëzoheshin sasisë së gaforres së shijshme e të ushqyeshme, por jo në Shqipëri.

“Këtu nuk ka prioritet për peshkim. Kjo gaforrja blu është shtuar në masë. Sidomos këto tre vitet e fundit. Peshkatarët nuk marrin as një kokërr lek. Nuk ka kthim mbrapa. Kjo gaforre blu shtohet në masë” tha peshkatari.

Këto gaforre blu janë ndër krijesat më të njohura ujore. Në vendin tonë kanë rreth 4 -5 vjet që janë shndërruar në vizitore të rregullta, njëherësh edhe të padëshiruara.

“Gaforre ka jashtë mase shumë. Kemi kontrolluar e kemi hedhur rreth 150 kg gaforre. Tani pas dy orësh shiko sa ka dalë prapë”, tha një tjetër. 

Jo vetëm Karavastaja, por edhe laguna e Mergjanit ka të njëjtin fat.

Peshkatarët janë të revoltuar se nuk mund të shpenzojnë kohë e para për një gaforre që nuk i blen askush.

E kapin bajagi. Ka në të gjitha lagunat e Shqipërisë. Po sa konsumojnë lokalet. I lëshon rrjetat sonte, nesër në mëngjes duhet me I prerë. Kushtojnë 2 deri në 3 qind mijë lekë. Ku më leverdis mua ashtu. Këtë gaforre ne e lëmë që të ngordhet dhe e hedhim. Të paktën mos të shtohet. Aq kemi mundësi”, tregoi një tjetër.

Nuk dinë as se si do ti shpëtojnë kësaj specie që u copëton gjahun.

“Kjo është gaforrja. Materialet nuk ke shans me i lëshuar më për peshk. E kap me gojë për të ik dhe e shkatërron materialin. Vetëm gaforre. Asgjë tjetër. Edhe sikur të bjere peshk, gjatë natës këto e grijnë e copëtojnë. Me të kap dorën si me të kap me pinca” u shprehën disa peshkatarë.

Në Tiranë tregtarët kanë më optimistë krahasuar me 5 vite më parë.

“Tani kanë filluar me e njohur. Ka 4-5 vjet. Tani e konsumojnë më tepër. Ne e shesim nga katër qind deri në pesë qind lekë. Ka pasur kohët e fundit shumë. Ka pasur prodhim. Edhe konsumimi ka qenë më i mirë”, u shpreh një tregtar.

Kryesisht gaforrja blu blihet për tu gatuar më makarona e në supë. Edhe restorantet e kanë përfshirë në menynë e tyre.

“Po ne e tregtojmë gaforren blu. Gaforrja konsumohet shumë nga shqiptarët, por më shumë nga aziatikët.  Pjesën e verës vijnë në “Pazar të Ri” dhe drekat e darkat I konsumojnë tek ne.  Më shumë e përdorim në pjesën e sotes dhe në pasta. Gaforrja blu nuk është shumë e shtrenjtë. Kushton një mijë deri në një mijë e dyqind lekë. Është produkt që mund ta gjejmë më kollaj”, tregoi menaxheri i restorantit të produkteve të detit, Ermal Cubi.

Gaforrja blu ka jo vetëm shije të veçantë por përmban edhe vlerat ushqyese. Ajo është e pasur me selenium dhe acide yndyrore Omega-3, proteina dhe vitamina B që i bëjnë mirë shëndetit mendor, forcon kockat, mbron zemrën dhe imunitetitetin, ndikon në pastrimin e mëlçisë dhe veshkave.

Për ta shijuar tulin e gaforres ka një mënyrë të posaçme.

Pavarësisht kërkesave në rritje, përsëri është shumë i pakët numri i konsumatorëve që të shpëtojë biznesin e peshkimit nga caku i mbijetesës. Deri më sot asnjë institucion shtetëror nuk i ka ofruar një zgjidhje. Peshkatarët vazhdojnë të shpresojnë se të nesërmen gaforret blu do të kenë ikur andej nga kanë ardhur.