Sot do të zhvillohen dy ndeshjet e kthimit në Champions League, Real Madrid-Schalke 04 dhe Chelsea-Galatasaray. Njëra nga enigmat është zhvilluar, pasi Reali fitoi ndeshjen e parë me goleadë 1-6 në Gjermani duke siguruar kalimin në çerekfinale. Ndeshja e sotme në ‘Santiago Bernabeu’ do të vlejë vetëm për statistika për të dy ekipet, pasi edhe gjermanët e kanë pranuar disfatën dhe nuk shpresojë për një ‘remuntada’ në Madrid. Trajneri Jens Keller shprehet se Schalke duhet të luajë pa frikë.

“Kërkoj që ekipi të jetë më kompakt dhe të mos e lejojë kundërshtarin të bëjë lojën e tij. Frika nuk është e pranueshme në futboll. Ne do të zbresim në fushën e lojës për të dhënë më të mirën. Nuk kam shumë opsione për formacionin pasi disa lojtarë kanë probleme me dëmtimet, prandaj formacioni do të përbëhet nga lojtarë të rinj” deklaroi ai. Sfida është ‘injoruar’ edhe nga Carlo Ancelotti, i cili ka filluar të mendojë për ndeshjen me Barcelonën në fundjavë.

“Do të bëjmë disa ndryshime përballë Schalke-s, pasi me Malagan zhvilluam një takim me intensitet të lartë, që na mori shumë energji dhe nuk kemi pushuar aspak. Disa futbollistë janë të lodhur prandaj dhe këtë të martë do të ketë ndryshime në formacion, në sulm do të luajnë Jese, Morata e Ronaldo. Benzema nuk mund të luajë, por kemi besim se mund ta rikuperojmë për ‘El Clasicon’. Ndeshja e së dielës do të jetë shumë e ekuilibruar. Barcelona është një skuadër shumë e fortë.

Është e vërtetë që ata kanë pasur disa vështirësi por tashmë e kanë marrë plotësisht veten” tha ai. Ndërsa ndeshja më e fortë e mbrëmjes pritet të zhvillohet në Londër, pasi ndeshja Chelsea-Galatasaray është plotësisht e hapur pas rezultatit 1-1 në Turqi. Trajneri i turqve Mancini shprehet optimist për kalimin e turit. “Bëmë një mrekulli që kaluam fazën e grupeve. Tani përballemi me një nga skuadrat më të forta të botës në stadiumin e saj, por në futboll kurrë mos thuaj kurrë. Chelsea ka një avantazh të lehtë pasi shënoi në Stamboll, por ne luajmë për të fituar. Për mua ky rikthim në Angli është një moment i rëndësishëm. Kjo ndeshje ka një vlerë speciale për dy arsye.

E para është që luhet në Londër, e dyta është skena e Champions” tha tekniku. Ndërsa sulmuesi Drogba premton se ‘Nëse shënoj mund edhe të mos festoj, por me siguri nëse fitojmë do të jem i kënaqur. Te Chelsea kalova vite të jashtëzakonshme, por tani vesh fanellën e Galatasaray. “Stamford Bridge” ka qenë stadiumi im për shumë sezone”. Në fund nuk kishte si të mungonte edhe Murinjo që tha “Sfida është e hapur pas ndeshjes së parë mbyllur në barazim. Do të tentojmë fitoren dhe kalimin e turit. Kundërshtari është i fortë, por ne luajmë përballë publikut tonë dhe duam të shkojmë sa më larg në Chmapions”.

d.b/shqiptarja.com