TIRANE- Pavarësisht numrit të partive në koalicione, në Tiranë ndikimin më të madh në marrjen e votave e kanë pasur vetëm partitë kryesore. Nga koalicioni i majtë, kur ishin numëruar 30 për qind e kutive të votimit, Partia Socialiste ka marrë 43 mijë vota ndërkohë që Lëvizja Socialiste për integrim ka marrë 22 mijë vota. Si koalicion Aleanca për Shqipërinë Evropiane deri në numërimin e 30 për qind të kutive të votimit ka marrë 80 mijë vota.

Ndërkohë që nga koalicioni i djathtë Partia Demokratike ka mbajtur peshën kryesore në grumbullimin e votave. Kështu ASHEE ka marrë 36 mijë vota në numërimin e 30 për qind të kutive, ndërsa LZHK ka mundur të marrë 2500 vota dhe republikanët kanë mundur të fitojnë në garën për këshillin bashkiak 1800 vota. Surpriza në këtë radhë është Fryma e re Demokratike e drejtuar nga Bamir Topi, i cili ka marrë 2500 vota, duke shënuar dhe një rritje me 1 pikë në krahasim me katër vite më parë.

Por trendi më i lartë i rritjes së votave për këshillin bashkiak të Tiranës e ka mbajtur LSI. Krahasuar me katër vite më parë, kur LSI ishte në koalicion me Partinë Demokratike, LSI ka shënuar një rritje me 10 pikë. Ndërkohë që numërimi i fletëve të votimit do të vazhdojë dhe sot, për të parë më pas dhe se si do të ndahen numrat në këshillin Bashkiak. Këshilli Bashkiak i Tiranës do të përbëhet nga 61 anëtarë. Ndërkohë që gjatë fushatës elektorale partitë kanë kërkuar mbështetjen për kandidatin e koalicionit për kryetar bashkisë, por se në votën për këshillat është kërkuar mbështetja e partisë përkatëse.

Megjithatë, ashtu si dhe ka deklaruar në një qëndrim të tij në facebook, zëdhënësi i LSI Emiljano Aleksi, kjo forcë duket se nuk ka bërë dallime në mbështetjen për kryetarin e bashkisë. Kjo duke shënuar kështu një rritje të votës si për kandidatin për kryetar të bashkisë, Erjon Veliaj, tashmë fitues, por dhe për votën në këshillin bashkiak. Madje në numërimin e fletëve të votimit për këshillat rezulton se si socialistët ashtu dhe demokratët kanë një ulje të votave, ndërsa LSI ka shënuar rritje të ndjeshme.

Dhe në rast se do të vijohet me këtë trend, LSI pritet të ketë rreth 12 këshilltarë, ndërsa socialistët do të kenë 22 anëtarë të këshillit bashkiak. Nga ana tjetër PD me rreth 33 për qind të votave, pritet të ketë rreth 16 anëtarë në këshillat bashkiak. Ndërsa 11 anëtarë të tjerë të këshillave pritet të ndahen mes aleatëve, apo dhe në bazë të formulës së zgjedhjeve, duke i shtuar këshilltarë PD-së, PS apo LSI.

Ethet për garën për këshillat bashkiak kanë përfshirë dhe komunat që I janë bashkëngjitur Tiranës me ndarjen e re administrative. Rezulton që LSI kryeson  në dy prej komunave. Ndërsa dhe partitë e tjera të vogla duket se kanë marrë një numër të konsiderueshëm pikërisht në këto rrethina. Në këtë mënyrë duket se në votimin për emrat e këshillit nuk ka ndikuar sigla e partisë, por më shumë ajo e emrave që kanë garuar. Megjithatë e majta duket se do të jetë më e favorizuar për votën e këshillave bashkiak.

Për shkak dhe të numrit të lartë të partive aleate, të majtës I shtohen të paktën dhe 15 mijë vota në kryeqytet. Nga bashkëpunimi me koalicionin e majtë FRD e drejtuar nga Bamir Topi ka mundur të marrë 2 për qind më shumë se katër vite më parë në votën për këshillin kombëtar. Ndërsa dhe PDIU ka mundur të sigurojë 1 për qind vota më shumë. Por e humbur duket se ka dalë PDS e Paskal Milos e cila në garën për këshillat bashkiak rezulton të ketë një rënie me 1 për qind. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)