TIRANË- Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi ishte sot i ftuar në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës.

Duke folur për kandidimin e tij dhe për nismën “Ne Tirana”, Bojaxhi u shpreh se ndryshimi fillon gjithmonë nga grupe të vogla që sfidojnë status quo-në dhe marrin kurajon për të ndryshuar pjesën e tyre të botës.

Ai u shpreh i bindur se grupimi “Ne Tirana” do ta ndryshojë politikën jo vetëm deri në 21 qershor por edhe më pas.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, Bojaxhi tha se “shkaku i keqqeverisjes dhe problemeve të tjera që kalon Tirana dhe e gjithë Shqipëria është politik”.

Gjergj Bojaxhi u ndal gjithashtu mbi propagandën që po bëhet gjithandej për grumbullimin e pushteteve në një dorë.

Ai u shpreh se propaganda që Kryetari i Bashkisë duhet të kontrollojë këshillin bashkiak është jo vetëm propagandë antikushtetuese, por edhe antidemokratike pasi këto dy institucione janë qëllimisht të pavarura dhe funksionojnë me parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve.

Sakaq, Bojaxhi nënvizoi se e vetmja garanci për mirëqeverisje në Bashkinë e Tiranës është Kushtetuta që sanksionon se Këshilli duhet të kontrollojë Kryetarin e Bashkisë.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)