Në Partinë Demokratike po konsolidohet një skenar që gjithnjë e më pak ka të bëjë me garën dhe gjithnjë e më shumë me konfirmimin e një emri të vetëm. Teksa afati për dorëzimin e kandidaturave mbyllet të enjten në orën 12:00, zhvillimet e fundit tregojnë se 23 maji mund të jetë thjesht një procedurë formale për qëndrimin e Sali Berishës në krye të partisë.

Sipas ish-kandidatit për kreun e PD-së, Bujar Nallbani, “gara” për kryetarin, është pjesë e një tabloje më të gjërë që lidhet me mënyrën se si ka funksionuar Partia Demokratike që në gjenezë, me një drejtim autoritar, ku partia përdoret për interesa personale dhe familjare.

“PD është parti personale e një grupi njerëzish të udhëhequr nga Sali Berisha. Kështu ka qenë që në fillime, kështu do jetë e kështu do të ngelet. Është e paprecedentë. Edhe më herët, i dorëhequri në hije, Saliu, kurrë nuk ka pranuar që përtej verdiktit të tij, të vendoseshin njerëz kompetetntë në atë parti, që të ishin e ardhmja dhe të çonin përpara aspiratat e demokratëve” tha Nallbani gjatë një interviste me emisionin “Studio Live” në “Report TV”

Në analizën e tij, Nallbani argumentoi se Partia Demokratike funksionon si një strukturë që sillet rreth 'liderit', më shumë sesa si një organizëm që prodhon alternativa të reja. Sipas Nallbanit, Berisha e sheh PD-në si mburojë ndaj problemeve me drejtësinë por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.

“E njihni Saliun ju? Që kur u vendos në krye të PD-së, ai e asfiksoi dhe e meku partinë. Ai nuk ishte në shinat e duhura. Është në interesin personal dhe të familjes së tij që ai të jetë kryetar. A do të mbijetonte dot Berisha nëse s’do të kishte atë parti? Ajo parti është mburoja e hekurt që ai beson se do ta mbrojë për shumë kohë. Por do të ketë një cak të fundit që ai do të japë llogari. Mbi damkën që i rëndon, ka dhë një damkë nga SHBA dhe Anglia. Edhe diktattorët më të egër nuk e kanë marrë non-gratën familjarisht” tha Nallbani.

Nallbani hodhi akuza për korrupsion edhe ndaj Albana Vokshit dhe Flamur Nokës e të tjerë, duke vënë në pikëpyetje, mënyrën e pasurimit të tyre, madje i cilësoi ata "budallenj' që i rrinë për qark Sali Berishës siç bënte edhe diktatori komunist.

“Pjesa më e mirë e asaj partie është larguar. Aty kanë ngelur vetëm ata që Berisha i ka bllokuar dhe kapur. Të gjithë deputetët që i rrinë për qark, janë milionerë, me prona, me makina. Që nga Vokshi, Muli e të tjerët... për mua janë të korruptuar. Nëse ata do të futeshin në garë do të humbisnin të gjithë. Pse si çon në lista të hapura? Berisha është si Enver Hoxha që i mbante budallenjtë përqark, i bënte anëtarë të Byrosë Politike dhe vetë shkruante e vetë vuloste. Berisha ska lënë pa i marrë Enver Hoxhës se me atë ka kullotur. Çfarë kërkoni nga ky lider përveç se fshehjes që do ti bëjë mburoja e kësaj partie, ndaj problemeve të mëdha që po i vijnë. Nëse drejtësia, apo investimi i SHBA për të goditur të paprekshmit, këta palaço që e kanë shkatërruar lëvizjen demokratike. U bënë 35 vjet, po aq sa diktatura e Enver Hoxhës” tha Nallbani

Sa i përket “garës” për kryetarin, Nallbani veçoi Evi Kokalarin si një alternativë të mirë me profil perëndimor, por që, sipas tij, nuk do të pranohet kurrë nga Berisha, gjë që sipas Nallbanit, konfirmon 'profecinë' e ish-ambasadores amerikane Yuri Kim.

“Është alternativë e fuqishme dhe më e mira. Sepse vjen nga një botë perëndimore, nga ligje të forta, me nocione të forta demokratike. Por nuk do ta pranojë njeri. Këta janë të papranueshëm dhe në garë do të ngelet një plak 90 vjeç që po shkon drejt gropës dhe do t’i marrë të gjithë këta me vete, siç ka thënë edhe Yuri Kim. Këta e kanë tmerr Yuri Kim-in. Bar po hanë por kanë shumë dollarë, barin do ta hanë si forcë politike. Ç'faj kanë demokratët e ndershëm që ta pësojnë nga kjo forcë që nuk ka alternativë apo horizont. Berisha do të sjellë zhgënjim total dhe  korrupsion galopant.” tha Nallbani.