Garancia (e munguar) e votës

Garancia (e munguar) e votës
Sa më shumë afrohen zgjedhjet e qershorit aq më shumë rriten dyshimet mbi besueshmërinë e procesit zgjedhor, sidomos e numërimit të votave. Motivet janë të njohura: prej zgjedhjeve të vitit 1992 dhe referendumit të vitit 1994 çdo zgjedhje tjetër lokale dhe parlamentare është kontestuar për manipulime votash.

Pothuajse në çdo rast pala kontestuese ka pasur të drejtë. Të gjithë e dinë, kanë përvojë dhe kanë informacion sesi vota blihet, vota tregtohet, vota deformohet deri në momentin që ndahen mandatet në KQZ.

E pamë së fundi në zgjedhjet lokale në Tiranë kur një palë fitoi zgjedhjet, por numërimi i ca votave të mbledhura në Laprakë apo Allias nxorën fitues një emër tjetër. Apo në komunat e Fierit dhe Lezhës më 2009 ku gjykatat dënuan komisionerë për trafikim të pastër votash.

Më 2009 një deputet u zgjodh vetëm pasi telefoinoi kryetrarin e partisë tjetër dhe i premtoi votën parlamentare të tij për kryeministër. Një parti tjetër siguroi hyrjen në parlament falë konsensusit PD-PS në komunën Ndroq në Tiranë për ti kaluar atij 92% të votave të një njësie votimi.

Trafikimi dhe deformimi i votës është kthyer tashmë në institucion konsensus, praktikë pune dhe mekanizëm që prodhon pushtet, edhe kur qytetarët vetë kanë vendosur ndryshe. Në zgjedhjet e vitit 2009 PS pranoi publikisht se 25% të komisionerëve të saj u shitën tek pala tjetër.

Një palë politike në Berat pranoi publikisht se ndryshoi rezultatin për të mënjanuar fitoren e mandatit elektoral për një kandidat rival brenda partisë së tij. Në komunat e periferisë nga Shkodra deri në Vlorë pjesëmarrja formale në votime është rekord, edhe pse atje ka gjithnjë e më pak banorë.

Komisionerët, më shumë sesa nëpunës shtetërorë të caktuar nga ligji për mbikëqyrjen e zbatimit të tij, janë e shërbejnë si agjent shitjeje dhe blerjesh. Sa më shumë vota sjellin aq më të lartë e marrin shpërblimin me poste në hierarkinë shtetërore.

Nuk ka rëndësi nëse shtohen votues formalë, nëse votat ua marrin partive të treta apo vetë ato njëra tjetrës, rëndësi ka rezultati, shifra dhe fakti nëse partia që i përket fiton mandat qeverisës. Kjo është arsyeja që qenia komisioner është kthyer në burim fitimi, është profesion në modë, ka rivalitet të ashpër midis familjeve politike dhe përbën mundësi të mirë për të kompensuar katër vite në opozitë.

Zgjedhjet e vitit 2013 kanë ruajtur të njëjtin sistem administrimi. Është sistem unik në Evropë, vetëm në Bjellorusi e Rusi gjendet një i tillë. Kudo administrimi është shtetëror ose civil, me drejtim nga gjyqtarë apo institucione ekzekutive, kurse tek ne është thellësisht partiak, madje dypartiak.

PD e PS refuzuan ta heqin monopolin e tyre mbi KQZ dhe administrimin zgjedhor; ata vetëm sa ndryshuan emrat drejtues, mekanizmi mbeti i njëjtë. Madje, me ndryshimet e fundit konsensuale në Kodin Zgjedhor kontrolli i tyre mbi votën është dyfishuar, pasi për herë të parë është futur kriteri se grupet e numërimit të votave përbëhen nga parti me dy deputetë në zgjedhjet e fundit, pra vetëm nga PD, PS dhe LSI.

Të tjerët...janë vëzhgues, çfarë për praktikën tonë zgjedhore, dmth, nuk kanë rol vetëm të shpresojnë se këtë herë ujqërit e votës “kanë ndërruar qimet”. Ky sistem mban peng vetë palët politike sepse asnjëra nuk merr vendim pa palën tjetër, por duke njohur KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor, i ofron garanci e supermaci partisë kryesore në pushtet.

PS e pranoi sepse vota e saj është e “blinduar” siç thotë kryetari i saj, por as ajo dhe as pala tjetër nuk jep asnjë garanci se edhe vota qytetare kritike me PD dhe PS është po aq e blinduar sa vota e tyre.

Për më tepër duke pasur pushtetin e administrimit të votës dhe të procesit dy palët politike, PD e PS, po e përdorin atë për të shantazhuar partitë e tjera politike. PD u thotë aleatëve të heshtin dhe të pranojnë koalicionin pa kushte me të, ndryshe mbesin pa asnjë votë.

PS gjithashtu po jep mesazhe të njëjta ndaj partive opozitare që nuk pranojnë të jenë në skemat e saj elektorale. Ultimatumi i fundit i kryeministrit për militantët e partisë së tij “luftë për çdo votë” apo ai i kryetarit të opozitës parlamentare Rama se “asnjë votë për rotacion nuk duhet të shkojë dëm” janë një kërcënim për lirinë dhe garancinë e votës së 23 qershorit.

Kryeministri ka dhënë prova se nuk respekton votën kritike dhe siç thotë vetë, “i do kundërshtarët politikë për t’i mundur”, një logjikë totalitare dhe e largët për garën demokratike.

I çuditshëm vjen mesazhi i palës tjetër, i cili nuk është thjesht mesazh për koalicion të gjerë politik për rotacion, por edhe shantazh për partitë që duan rotacion por që nuk duan të zëvendësojnë një emër me një emër tjetër, pra që duan të ndryshojnë sistemin politik, ta bëjnë atë më përfaqësues, më të ndershëm, më të moralshëm dhe më kushtetues.

Deklarata të tilla vetëm sa nxjerrin në pah të njëjtat mentalitete të partive tradicionale, të cilat kur është fjala për pushtetin dhe votën, - harrojnë retorikën dhe premtimet elektorale, braktisin vlerat e parimet për të cilat flasin përpara qytetarëve dhe kamerave televizive dhe imitojnë njëra tjetrën në përpjekjen për të fituar gjithçka, pavarësisht vullnetit të fshehtë të sovranit.

Fakti se kudo në qytete në çdo takim me qytetarë grupet e reja politike ndeshen në kontaktin e parë me pyetjen për ruajtjen e votës është dëshmi e frikës së tyre mbi integritetin e këtyre zgjedhjeve, e mosbesimit të tyre të thellë tek dy partitë administruese të votës si dhe e dobësisë cilësore të demokracisë përfaqësuese në Shqipëri.

Kjo klimë shantazhi dhe pazari mbi integritetin e vlerat e votës vjen në një kohë kur një numër gjithnjë e më i madh votuesish është i gatshëm të mbështesë parti të tjera politike, jashtë dy partive tradicionale. Një votë e numëruar dhe e respektuar do të krijonte një sistem politik përfaqësues, të besueshëm dhe funksional.

Nga vjedhja e votës nuk mund të ketë asnjë model tjetër qeverisës përveçse produkte ekzekutive e parlamentare që vazhdojnë vjedhjen edhe në ekonomi, në buxhetin shtetëror, në projektet publike, në investimet e huaja dhe ato private, pra në gjithçka tjetër që administrohet politikisht e ligjërisht nga selitë e komisionerëve të votës.

Kështu ka ndodhur dhe kështu do të vijë të ndodhë edhe në të ardhmen nëse shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë të Evropës së Bashkuar, nuk do të heqin dorë nga tregtimit i pushtetit të tyre të vetëm, institucioni i votës.

Shqipëria ka pasur e ka shumë politikanë, zyrtarë e regjime monarkiste e republiklane, por ende ajo vuan nga mungesa e një politikani vizionar apo shtetari që pranon dhe garanton votën e qytetarëve të tij, pavarësisht nëse ajo është kundër, pro apo abstenuese.

Mjaftojnë këto arsye për të kuptuar se ka ardhur koha që të jetësohet një nismë publike me aktorë civilë e politike për krijimin e koalicionit për votën e lirë, - një spektër shumë më i gjerë pjesëmarrës e përfaqësues sesa selitë e partive tradicionale.

Kjo nismë mund të diktojë rregulla të reja etike dhe teknike në rritjen e transparencës së numërimit të votave, mund të tërheqë mbështetjen e dukshme të grupit vëzhgues të ODIHR dhe të përfaqësive të huaja në Tiranë, mund të krijojë një partneritet aktiv me median vizive për monitorim live të gjithë procesit përmbyllës zgjedhor sidomos në zonat e pritshme problematike, siç edhe mund të ndikojë që vetë partitë e interesuara të marrin angazhime publike mbi vullnetin dhe përkushtimin e tyre real në miradministrimin e votës qytetare.

Koalicioni për votën mund të jetë koalicion shumë herë më i madh, më moral, më përfaqësues dhe më patriotik sesa çdo koalicion pazaresh e shifrash që bëjnë kryetarët e dy partive tradicionale.

Ndaj duhet menduar për të, duhet përkrahur dhe duhet jetësuar, si një garanci më shumë që 23 qershori të marrë vlerë, të bëhet dita e parë e leximit real të votës në Shqipërinë postkomuniste dhe kështu, dita e parë e respektimit real të sovranitetit popullor në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar.

A e kanë këtë cilësi/aftësi elita civile, politike, mediatike e qytetare shqiptare? Nëse jo atëherë nuk meritojnë më shumë sesa kaq pak arritje sa kemi, nëse po atëherë është koha për veprim, për ecje përpara, për rilindje, - referuar kështu tri sloganeve të tri partive përgjegjëse në shantazhin dhe frikën e abuzimit me votën në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës