Rritja e pandalshme e çmimeve të pronave po shton vit pas viti ekspozimin e bankave ndaj tregut imobiliar, përmes zgjerimit të portofolit të kredive për pasuri të paluajtshme.
Referuar raportit vjetor të Mbikëqyrjes, rezulton se stoku i kredive në pasuri të paluajtshme nga 398 miliardë lekë që ishte në 2024-ën është rritur në fund të 2025-ës në 460 miliardë lekë (4.9 miliardë euro me kursin e sotëm), një zgjerim kredie me 62 miliardë lekë.
“Huaja për blerje banesash” për individët zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë me 26.8%, pasuar nga “huaja për pasuri të paluajtshme” nga biznesi me 24.3%”, thuhet në raport.
Për shkak të shtimit të kredisë për blerje banesash, është rritur edhe ekspozimi i bankave ndaj sektorit, pasi rezulton se 46.1% e totalit të kredisë së dhënë ka si kolateral pasuri të paluajtshme.
Rritja konstante e ndërtimeve e paralelisht dhe e çmimeve të pasurive të paluajtshme, po shton gjithnjë e më shumë kërkesën për kredi, ndaj shikohet me skepticizëm pasi mund të cenojë stabilitetin financiar. Një rënie e shpejtë e sektorit e shoqëruar me ulje të fuqisë paguese nga qytetarët mund të dëmtojnë bankat, për shkak të ekspozimit të lartë të tyre.
“Banka e Shqipërisë e ka trajtuar rritjen e kredisë për pasuri të paluajtshme si burim të mundshëm rreziku për stabilitetin financiar. Për këtë arsye, Banka ka forcuar mbledhjen dhe analizën e të dhënave për kreditë për banesa, prona tregtare, ndërtues dhe projekte imobiliare”, deklaroi guvernatori Gent Sejko më 8 korrik në komisionet parlamentare.
Për të frenuar ekspozimin prej 1 viti, Banka e Shqipërisë ka caktuar kufizime për kredinë për blerje banese, pasi kur huaja kërkohet për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës me këst mujor jo më të lartë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit. Për banesën e dytë vlera e kredisë ulet në 80%. Kur kredia kërkohet në valutë tavanet janë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë, dhe kësti mujor jo mbi 35% e të ardhurave të kredimarrësit.
Komente







