Është përsëri radha e Kajros. Pas samitit të Sharm el-Sheikh, që presidenti el-Sisi e konsideron një sukses, egjiptianët janë angazhuar në një maratonë diplomatike për të stabilizuar marrëveshjen mbi Gazën dhe për të kaluar në të ashtuquajturën fazë të dytë të planit, më e ndërlikuara, sepse parashikon çarmatimin e Hamasit, bisedime serioze për rolin e Autoritetit Palestinez të Abu Mazenit — i padurueshëm si për militantët ashtu edhe për izraelitët — dhe krijimin e një misioni ndërkombëtar për të menaxhuar sigurinë në Gaza. Sipas “The Guardian”, drejtimin e këtij misioni mund ta marrë vetë Egjipti, por amerikanët kërkojnë që ai të ketë mandat të OKB-së: jo një mision paqeruajtës klasik, por gjithsesi një operacion me vulën e Këshillit të Sigurimit. Diskutimet me Kairon janë në zhvillim. Indonezia ka shprehur tashmë gatishmërinë për të dërguar trupa, po ashtu edhe Azerbajxhani dhe Turqia, por në Izrael ideja e ushtarëve të Erdoganit në kufi nuk shihet me sy të mirë.

Të enjten e kaluar në Kajro, një delegacion i Hamasit diskutoi me ndërmjetësit për mundësinë që në Rrip të hyjë personel sigurie i Autoritetit Palestinez, i cili do të vepronte nën koordinimin e forcës ndërkombëtare: bëhet fjalë për rreth 1.000 policë që prej kohësh janë trajnuar mes Kajros dhe Amanit. Ngritja e një mekanizmi të ri sigurie në Gaza do të duhej të mundësonte tërheqjen e mëtejshme të trupave izraelite — ky është të paktën objektivi egjiptian — por ai përballet me shumë rezistenca. E para lidhet me hapjen e kalimit të Rafahut, thelbësor për të nxjerrë palestinezët e plagosur e të sëmurë dhe ata që duan të largohen nga Rripi, por nga këndvështrimi i Kajros, po aq i rëndësishëm për të lejuar që refugjatët palestinezë në Egjipt të kthehen në Gaza. Autoritetet egjiptiane po përpilojnë tashmë listat e atyre që janë të vendosur të rikthehen. Dje ambasada palestineze në Kajro njoftoi se kalimi do të rihapej të hënën. Menjëherë u mohua nga Izraeli: Rafahu do të mbetet i mbyllur deri në një njoftim të dytë, bëri të ditur zyra e kryeministrit Netanjahu, dhe sigurisht nuk do të hapet për kalimin e njerëzve (ndihmat do të kalojnë vetëm nga Izraeli për inspektime) përpara se Hamasi të ketë dorëzuar të gjitha trupat e pengjeve të vdekur — 17 trupa, pasi dy të tjera iu dorëzuan shtetit hebre natën e kaluar. Kryeministri izraelit foli dje dhe njoftoi dy gjëra: se ka ndërmend të rikandidojë dhe se “lufta do të përfundojë” vetëm kur të përfundojë faza e dytë, që “përfshin edhe çarmatimin e Hamasit, ose më saktë, demilitarizimin e Rripit të Gazës”.

Grupi islamist do të duhet të dorëzojë armët, çka do të thotë të humbasë pushtetin në Gaza. Militantët e konsiderojnë një të drejtë të “rezistencës” mbajtjen e armëve të paktën mbrojtëse dhe do të ishin të gatshëm t’i dorëzonin vetëm një force arabe dhe brenda një marrëveshjeje që çon realisht drejt një shteti palestinez — një hipotezë e papranueshme për Izraelin. Një kompromis, sipas burimeve egjiptiane, mund të ishte ngrirja e armëve të Hamasit për një armëpushim 10-vjeçar, që do të lejonte nisjen e rindërtimit dhe negociata serioze për të ardhmen e Palestinës.

Por edhe për të djathtën në pushtet në Izrael, faza e dytë sjell angazhime politikisht të rënda: tërheqjen nga Rripi dhe nisjen e një kalimi të pushtetit në Gaza që pashmangshëm do të përfshijë Autoritetin Kombëtar Palestinez — perspektivë që Netanjahu ka dashur gjithmonë ta shmangë. Vetëm presioni amerikan mund të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçeve, dhe kjo është arsyeja pse Shtëpia e Bardhë po mendon të dërgojë në rajon zëvendëspresidentin JD Vance, të dërguarin Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trump-it, Jared Kushner, të cilët kanë ndërmjetësuar marrëveshjen e armëpushimit. Vance mund të mbërrijë në Izrael nesër ose pasnesër, i ndjekur nga Witkoff dhe Kushner, që po shqyrtojnë edhe një ndalesë në Egjipt. Në një intervistë për CBC, të dy kanë konfirmuar se pika e kthesës për Gazën ka qenë sulmi izraelit ndaj Katarit. “E kuptuam,” ka treguar Kushner, “që izraelitët kishin humbur disi kontrollin mbi atë që po bënin dhe se kishte ardhur momenti të ishim shumë të fortë e t’u pengonim të bënin gjëra që nuk janë në interesin e tyre afatgjatë.”/La Repubblica