Gazetarët, një ushtri që lufton
për të drejtat e të tjerëve

Gazetarët, një ushtri që lufton <br />për të drejtat e të tjerëve
Tiranë – Ndërsa shkruajnë për të drejtat e të tjerëve, ndërsa denoncojnë korrupsionin që ndëshkon të tjerët, gazetarët janë vetë viktimat më të mëdha të mashtrimit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. Të paorganizuar në sindikata, pa sigurime dhe shpesh të papaguar e të paguar keq, ata asnjëherë nuk e ngrejnë zërin për vehten e tyre. Pas denoncimiy në gazetën IDEA të një gazetari që kishte disa muaj pa u paguar, ne iu drejtuam kryetarit të uninionit të gazetarëve Aleksandër Çipa.

-Z.Çipa a ka patur Unioni i Gazetarëve ankesa nga gazetarë që nuk paguhen, apo specifikisht nga TV Koha?

Po, Unioni i Gazetarëve ka patur shume ankesa nga gazetarë apo punonjës të disa mediave përfshirë edhe “TV Koha”. Ankesat kanë qënë shpesh herë të përsëritura si vonesa pagash që kalojnë 2-3 muaj. Nga ky televizion ka patur ankesa për vonesa rrogash deri ne 4-5 muaj. Por përveç “TV Koha” ka patur edhe ankesa të gazetarëve nga media të tjera, si “A1″ apo gazeta ditore. Nga 24 gazeta ditore, 17 kanë vonesa në paga dhe nga 86 TV, 48 kanë të njëjtin problem. Së shpejti Unioni i gazetarëve do të bëjë publik një raport zyrtar. I pari i këtij lloji në 20 vite, i financuar nga OSBE. Është një pyetësor që ka përfshirë 500 gazetarë dhe do t`i jepen përgjigje pyetjeve se sa konflikte gjyqësore kanë patur gazetarët, sa vite të siguruara kanë, çfarë kontratash kanë etj.

-Sa të siguruar janë gazetarët në punë dhe a ka raporte për këtë gjë?

Unioni i gazetarëve ka raporte që flasin për këtë çështje. Nga raportet që ne kemi nxjerrë, na rezulton se gazetarët kanë një siguracion minimal në punë. Vetëm 65% e gazetarëve janë të siguruar dhe 50% e këtyre janë të siguruar me minimumin e vlerës që ligji i sigurimeve shoqërore lejon. Kjo është një shumë minimale qoftë edhe për përfitimin e një pensioni. Një nga çështjet më të vështira me të cilat po merret Unioni, është se çfarë do të bëhet me vitet e humbura të punës të gazetarëve. Ekzistojnë dokumenta se ato gazetarë kanë punuar për një periudhë kohore, por nuk kanë qënë të siguruar. Ankesa të tjera kanë lidhje me punën e papaguar, mosrespektimin e kodit të punës si dhe mospagimin e honorareve.

-Si mendoni Z.Çipa, pse nuk shkruajnë gazetarët për kushtet e tyre në punë?

Nuk shkruajnë sepse tremben nga punëdhënësit. Gjithashtu mungon cilësia sindikaliste e gazetarëve. Nuk ka solidaritet mes tyre për të luftuar për të drejtat e tyre. Kjo është një edhe nga vështirësitë më të mëdha të Unionit të Gazetarëve, pikërisht mungesa e sindikatave bazike. Është e pamundur që një sindikatë kombëtare, siç jemi ne, t’ia dalë mbanë e vetme. Çdo media duhet të ketë sindikatën bazike të saj, kështu funksionon në botë. Ndërsa në vendin tonë kemi shembuj negative të këtyre sindikatave, si për mediat private ashtu edhe për ato publike. Kjo është edhe zanafilla e gjithë mosrespektimit të të
drejtave të gazetarëve në punë. Si pasojë e mungesës së sindikatave bazike, kemi mungesë të implementimit të kontratave të punës.

-A mundoni se ka ardhur koha që gazetarët t`i drejtohen gjykatës?

Po, mund të përmend rastin e “TVA-së”. Unioni i Gazatarëve bëri denoncimin në gjykatë për disa gazetarë që nuk ishin paguar. Në momentin e gjyqit gazetarët u fshehën dhe ankuesi nuk u zyrtarizua. Dhe gjykata më tha: “Ti çfarë do? Ti je palë e tretë, e jashtme!” Kjo është vështirësia për t`i zgjidhur këto çështje. Unioni nuk mundet i vetëm. Gazetarët duhet të sjellin kërkesa më shkrim. Unioni nuk ka akses mbi bordorotë e redaksive, por gjykata kërkon dokumenta që ta marrë në shqyrtim. Unioni nuk mund të bëjë denoncime qorre, sepse rrezikon të paditet për shpifje nga media.

-Z.Çipa si e komentoni ju fakitn që njerëzit që shkruajnë për informalitetin janë vetë informal, a e cënon kjo rolin e gazetarit?

Mendoj se kjo e shkatërron integritetin e gazetarit. Shkatërron pavarësinë e tij në kuptimin e parë të fjalës. Një gazetar i pasiguruar është lehtësisht i shantazhueshëm dhe i manipulueshëm. Në këtë rast gazetarëve do t’u shkonte shumë për shtat roli i priftit “Bëj siç them unë, mos bëj si bëj unë”.

Matilda Alku /IDEA/




  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj