Gazetari i Report TV, Elvis Hila është shoqëruar nga policia teksa ishte në krye të detyrës, për të raportuar për aksionin e IKMT në Shëngjin, ku u prishën disa ndërtime pa leje.

Duke mos e lejuar të bëjë detyrën, për të informuar publikun, gazetari denoncon se shefi i Rendit në komisariatin e policisë Lezhë, Agron Qullhaje i ka marrë telefonin dhe e kanë shoqëruar forcërisht. Ndërkohë që në momentin që policia i merr telefonin dhe e shoqëron gazetarin Hila në furgon, Shefi i rendit Agron Qullhaje fillon të kontrollojë telefonin e gazetarit duke cenuar privatësinë e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të ditës së sotme, teksa po ndiqja aksionin për shembjen e ndërtimeve në Shëngjin.

Sipas gazetarit, policia e ka mbajtur për rreth 10 minuta në furgon dhe më pas këmbënguljes të gazetarëve të tjerë, kolegë të Hilës që ndodheshin në vendin e ngjarjes, ai është lënë i lirë. Në lidhje me rastin e paprecedentë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe SHÇBA kanë nisur hetimet.

SHÇBA ka dërguar dhe një grup pune në Lezhë për të hetuar në lidhje me  rastin. 

"Në momentin kur policia dhe IKMT po përplaseshin me pronarin e një objekti unë po xhiroja. Është afruar shefi i rendit dhe më ka marrë forcërisht telefonin dhe më pas ka thirrur dy policë të tjerë dhe më kanë shoqëruar. Kanë qenë kolegët e mi që e kanë filmuar gjithë skenën duke i kërkuar llogari përse më shoqëruan, por nuk dhanë asnjë shpjegim", tha gazetari Hila. 

Gazetari Hila thotë se qëllimi i policisë ishte që të mos filmonte një konflikt që po zhvillohej mes tyre, IKMT-së dhe pronarit të një objektit, që siç tha Hila forcat e policisë po ushtronin edhe dhunë. 

"Qëllimi i tyre ishte që unë mos të filmoja konfliktin mes policisë, IKMT dhe një pronari të një objekti. Vetë punonjësit e policisë po ushtronin dhunë. Duke parë që unë po filmoja këto veprime, u afruan duke më marrë telefonin dhe duke më shoqëruar në furgon. Trysnia e kolegeve të tjerë bëri që policia të më lerë të lirë", tha Hila. 

Gazetari Hila tha se gjithçka është e dokumentuar dhe do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë për këtë çështje.  

VIDEO/ Reagimi i gazetari Elvis Hila

Po si ndodhi ngjarja? Gazetari i Report Tv, Elvis Hila po filmonte përplasjes me pronares së një objekti që kundërshtonte prishjen e tij dhe policisë, të cilët e tërhiqnin prej krahu me forcë. Pikërisht në këtë moment filmimi është bërë edhe shoqërimi dhe marrja e telefonit nga dora e gazetarit nga shefi i Rendit   Agron Qullhaje dhe shoqërimin e tij me forcë në furgon. Kjo ka sjellë reagimin edhe të kolegëve të tij gazetarë që ishin në vendin e ngjarjes, të cilët i dalin në mbrojtje dhe i kërkojnë llogari Qullhajes se për çfarë arsye po e shoqërojnë.

'Për çfarë po e shoqëroni',  i thotë gazetari koleg policit të rendit, i cili me arrogancën e tij përgjigjet "Do të jap hesap ty unë. Po bëj punën time". Gazetari i kërkon të shoh bexhin e policit dhe të mos bëjë të fortin me ata që po bëjnë thjeshtë punën e tyre, por nga ana e policit të rendit vijon e njëjta arrogancë dhe indiferentizëm duke thënë se "Nuk jap asnjë lloj intervistë, flasim nëpërmjet zëdhënëses".

Gazetari i Report TV , Elvis Hila gjatë shoqërimit

VIDEO/ Aksioni i IKMT në Shëngjin

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:51
Pas Policisë së Shteti, edhe SHÇBA nis hetimet për rastin e shoqërimit të gazetarit të Report Tv, Elvis Hila

Përveç hetimit nga Policia e Shtetit për rastin e shoqërimit gjatë detyrës të gazetarit të Report Tv, Elvis Hila, ka nisur dhe një hetim nga SHÇBA.

Urdhri për hetim nga SHÇBA është dhënë nga kreu i kësaj strukture Muhamet Rrumbullaku, pasi u njoh me rastin e shoqërimit të gazetarit Hila.

Ai ka dërguar një grup nga SHÇBA drejt qytetit të Lezhës, për të hetuar nga afër rastin e paprecedentë.

SHÇBA është një strukturë e pavarur nga Policia e Shtetit dhe merret me çështjet e brendshme dhe ankesave

Ora 21:42
Momenti i përplasjes së pronares me policinë, që po filmonte gazetari i Report Tv para se të shoqërohej

Në video tregohet momenti ku gazetari i Report Tv, Elvis Hila po filmonte përplasjes me pronares së një objekti që kundërshtonte prishjen e tij dhe policisë, të cilët e tërhiqnin prej krahu me forcë.

“Nuk më është dhënë asnjë lloj urdhri. Ke ardhur më ke thënë, do hiqen, se kur do hiqen… nuk më ke lënë për sot urdhrin, as shkresë, asgjë. Me gojë më kanë njoftuar për nesër" ka thënë pronarja para mediave.

Pikërisht në këtë moment filmimi  është bërë edhe shoqërimi dhe marrja e telefonit nga dora e gazetarit nga shefi i Rendit në komisariatin e policisë Lezhë,  Agron Qullhaje dhe shoqërimin e tij me forcë.

Pyetja që ngremë është, se çfarë bëri gabim gazetari Elvis Hila në këtë situatë? Se filmoi në cilësinë  e gazetarit?

Ora 21:35
Momente nga shoqërimi i gazetarit të Report TV, kush është polici që 'bën të fortin' me ata që bëjnë punën e tyre

Gazetari i Report Tv Elvis Hila u shoqëruar ditën e sotme gjatë kohës që po bënte detyrën e tij, ku po regjistronte përplasjet mes policisë dhe pronarëve që kundërshtonin prishjen e objekteve të tyre në zonën e Shëngjinit.

Në momentin e filmimit, kur policia po përplasej me një grua, pronare e një nga objekteve për t'u prishur, shefi i Rendit në komisariatin e policisë Lezhë,  Agron Qullhaje i ka marrë telefonin dhe e kanë shoqëruar forcërisht gazetarin Elvis Hila, pa i dhënë sqarime se pse po e bënte këtë veprim.

Kjo ngjarje është filmuar nga kolegu i gazetarit Hila që ndodhej në vendin e ngjarjes, ku gjithashtu i kërkon arsyen e shoqërimit të tij.

1592421258_agranqullhahej.jpg

Shefi i rendit, Agron Qullhaje

 

Ora 21:23
Shoqërimi i gazetarit të Report Tv nga policia, Ardi Veliu nis hetimet

Në lidhje me ngjarjen e paprecedentë ku gazetari i Report Tv, Elvis Hila është shoqëruar nga policia në një kohë që po raportonte mbi shembjet e ndërtesave pa leje në zonën e Shëngjinit dhe po raportonte për përplasjen mes IKMT dhe pronarëve të këtyre ndërtesave,  ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Gjatë interesimit të Report Tv, Veliu tha se "sapo mori dijeni për ngjarjen, do ta analizojë dhe urdhëroi nisjen e hetimeve mbi këtë shoqërim të gazetarit".

Ora 21:16
Shoqërohet gazetari i Report TV, arroganca e shefit të rendit Agron Qullhaje: Nuk të jap llogari, po bëj detyrën

Shoqërimi i gazetarit të Report Tv Elvis Hila nga shefi i Rendit në komisariatin e policisë Lezhë, Agron Qullhaje ka sjellë reagimin edhe të kolegëve të tij gazetarë që ishin në vendin e ngjarjes, të cilët i dalin në mbrojtje dhe i kërkojnë llogari Qullhajes se për çfarë arsye po e shoqërojnë.

 'Për çfarë po e shoqëroni', i thotë gazetari  policit të rendit, i cili me arrogancën e tij përgjigjet "Do të jap hesap ty unë. Po bëj punën time". Gazetari i kërkon të shoh bexhin e policit dhe të mos bëjë të fortin me ata që po bëjnë thjeshtë punën e tyre, por nga ana e policit të rendit  vijon e njëjta arrogancë dhe indiferentizëm duke thënë se "Nuk jap asnjë lloj intervistë, flasim nëpërmjet zëdhënëses".

Debati i shefit të rendit me gazetarin, kolegun e Elvis Hilës gjatë momentit të shoqërimit të tij.

Gazetari: Për çfarë po e shoqëroni?

Shefi i Rendit: Më kërkon mua hesap ti?

Gazetari: Për çfarë po e shoqëroni

Shefi i Rendit: Kush je ti që të flas?

Gazetari: Gazetar jam

Shefi i Rendit: Edhe do të jap hesap ty unë. Po bëj punën time

Gazetari: Kush është puna jote, pse po ikën? Për çfarë e shoqëron o zotëri? Pse po largohesh? Cila është arsyeja, a mund ta shikoj bexhin, mund ta di kush jeni? Mos më prek se nuk të prek

Shefi i Rendit: Nuk të kam prekur

Gazetari: Kush është arsyeja që shoqëroni një gazetar

Shefi i Rendit: Më jep dokumentin

Gazetari: Po ta tregoj unë dokumentin. Kush është arsyeja që shoqëroni gazetarin? Ju lutem mu përgjigj? Do të bësh të fortin me gazetarin?

Shefi i Rendit: Nuk jap asnjë lloj intervistë, flasim nëpërmjet zëdhënëses.