Gazetaria investigative, syri dhe
veshi i "rojtares" së demokracisë
 

Gazetaria investigative, syri dhe<br />veshi i  ">
Fjala e kryetarit të prezencës së OSBE, Florian Raunig në tryezën  “E ardhmja e gazetarisë investigative në Shqipëri”

Të nderuar gazetarë dhe redaktorë,
 
Jam shumë i kënaqur që shoh me ne sot ekspertë të medias, gazetarë dhe kryeredaktorë, si dhe përfaqësues të organizatave që fokusohen te zhvillimi i medias.
 
Prezenca e OSBE-së e mbështet median e lirë dhe të pavarur në Shqipëri. Prezenca punon ngushtë me Përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias. Së bashku, zhvilluam në muajin shtator Konferencën e tretë të Medias për Evropën Juglindore këtu në Tiranë, ku morën pjesë edhe disa nga ju.  Në këtë takim, u përqendruam në problemet kryesore me të cilat përballen gazetarët në gjithë Ballkanin. Këtë vit, i kemi kushtuar, gjithashtu, një vëmendje të veçantë promovimit të gazetarisë investigative.
 
Tryeza e rrumbullakët sot përbën një mundësi për të shkëmbyer eksperienca, mendime dhe ide, si dhe për të diskutuar se si mund ta promovojmë e ta çojmë përpara gazetarinë investigative në Shqipëri.
 
Gazetaria investigative po has vështirësi në gjithë botën. Prapëseprapë, natyra e problemit ndryshon shumë nga një vend në tjetrin. Kur vjen fjala te kryerja e investigimeve të suksesshme, Shqipëria ka problemet e veta specifike. Shumë shpesh, informacione që me ligj duhet të jenë të disponueshme, janë thjesht të paaksesueshme. Kjo, sigurisht, që e dekurajon gazetarinë investigative.
 
Një tjetër pengesë e vështirë për një gazetari të suksesshme investigative në Shqipëri është ngurrimi i drejtuesve të redaktorëve për të publikuar apo për të transmetuar artikuj apo kronika investigative. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të frikës se artikujt apo kronikat e investiguara me hollësi, sidomos ato që lidhen me krimin apo korrupsionin, mund të çojnë në pasoja negative – presion politik ose financiar.
 
Një tjetër problem janë kushtet e punës dhe mungesa e stimujve për gazetarët investigativë. Një diskutim në formën e një tryeze të rrumbullakët që Prezenca zhvilloi në prill të këtij viti doli në përfundimin se ekziston një nevojë reale dhe e prekshme për të stimuluar gazetarët shqiptarë që ata të angazhohen në raportime investigative.
 
Për të forcuar më tej praktikat e gazetarisë investigative në Shqipëri, kjo tryezë e rrumbullakët do të pasohet nga një trajnim më i thelluar dy-ditor muajin që vjen. Në maj të këtij viti, ne shpallëm një konkurs kombëtar për gazetarinë investigative, rezultatet e të cilit do t’i mësoni më vonë sot.
 
Gazetaria investigative është më shumë një qëndrim sesa zhanër gazetarie. Ajo ka të bëjë me shkuarjen përtej informacioneve që mund të merren lehtë, duke sjellë bashkë të gjitha anët e një historie me qëllim krijimin e historisë që i ofron publikut një informacion të paanshëm dhe të pavarur.
 
Dëshiroj të inkurajoj të gjithë gazetarët, sidomos të rinjtë, që të vazhdojnë përpjekjet në këtë fushë. Pavarësisht se sa e vështirë është, gazetaria mbetet thelbësore për një shoqëri demokratike funksionale. Nëse media është “rojtarja” e demokracisë, gazetaria investigative është syri dhe veshi i kësaj rojtareje.  
 
Të dashur miq,
 
Shqipëria është në rrugën drejt integrimit evropian. Edhe media do të ndikohet shumë nga ky proces. Media shqiptare duhet të përpiqet t’u paraprijë këtyre zhvillimeve, duke u bërë më transparente, më e përgjegjshme dhe më e pavarur nga ndikimet politike dhe financiare.
 
Kjo është një nga arsyet kryesore për të cilat jemi mbledhur këtu sot.
 
Pra, le të diskutojmë, le të jemi të sinqertë dhe të hapur, në pritje të një të ardhmeje më të hapur e më të mirë për median shqiptare.
 
Ju uroj të gjithëve një diskutim të frytshëm dhe produktiv!
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

5 netë 'roje' për të vrarë Eduard Reçin/ Shkëlqim Duka u fsheh te shkallët e një hoteli, autorët e dyshuar kyçin gojën në polici

5 netë 'roje' për të vrarë Eduard Reçin/ Shkëlqim Duka u fsheh te shkallët e një hoteli, autorët e dyshuar kyçin gojën në polici