‘Gazetaria në kohë krize’, Tirana pret në 11-12 tetor konferencën e 8-të të Mediave në Evropën Juglindore! Merr pjesë Rama dhe ambasadori i OSBE-së! 5 çështjet kryesore

‘Gazetaria në kohë krize’, Tirana pret në 11-12 tetor konferencën e 8-të të Mediave në Evropën Juglindore! Merr pjesë Rama dhe ambasadori i OSBE-së! 5 çështjet kryesore

Foto ilustruese

TIRANË- Tirana do të shndërrohet në kryeqytetin e konferencës së 8 të Mediave në Evropën Juglindore, ku fokusi do të jetë “Gazetaria në kohë krize”. Kjo konferencë do të zhvillohet në datat 11-12 tetor dhe do të pasohet më pas me aktivitete të tjera të rëndësishme, duke krijuar kështu javën e medias, e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.

Të pranishëm do të jenë Përfaqësuesja për Lirinë e Medias e OSBE-së, Teresa Ribeiro, Kryeministri Edi Rama, Shefi i Prezencës së OSBE -së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco si edhe Julie Posetti, Drejtore e Përgjithshme e Kërkimit në Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarët.

Kjo konferencë do të shërbejë si një thirrje për të afirmuar rëndësinë e gazetarisë si një e mirë thelbësore publike dhe shtyllë e shoqërive demokratike. Ajo synon të nxisë bashkëpunimin rajonal për të adresuar sfidat e lirisë së medias duke eksploruar mundësitë për të çuar përpara mjedisin e medias në rajon, në kuadrin e krizës aktuale shëndetësore, të COVID-19.

Në total do të jetë 5 sesione, ku do të trajtohen tema të ndryshme. Nga sa mësohet sesioni i parë fokusohet në çështjen e dezinformimit dhe shkaqet e tij, rrezikun që i kanoset dhe roli që mund të luajë gazetaria për ta parandaluar. Sesioni i dytë trajton praktikat dhe përpjekjet më të mira për të lehtësuar situatën e rënduar të gazetarëve në rajon, përfshirë pengesat me të cilat ata përballen në kryerjen e detyrës dhe lirinë e fjalës.  Sesioni i tretë do të trajtojë përfshirjen dhe një përfaqësim të barabartë të grave në sektorin e medias - një çështje që ka qenë në fokus të Prezencës së OSBE -së në Shqipëri - dhe do të shërbejë si një platformë për diskutimin e sfidave profesionale të kohës dhe rreziqet e veçanta gjinore me të cilat përballen gazetarët në rajonin e Evropës Juglindore. Mjedisi ligjor i rajonit dhe pasojat e tij për fjalën e lirë dhe lirinë e medias do të formojnë boshtin e sesionit të katërt. Së fundi, sesioni i pestë do të ofrojë një mundësi për gazetarët e rinj në rajon.

Mësohet se për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, këtë vit aktiviteti do të zhvillohet një pjesë online dhe një pjesë të pranishëm fizikisht, me pjesëmarrjen e rreth 120 personave nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut, si dhe Mali i Zi, përfaqësues të qeverisë, media, shoqatat e gazetarëve, shoqëria civile dhe akademia.

Ngjarjet dhe aktivitetet e ndryshme në kuadër të Javës së Medias do të vazhdojnë deri të enjten, 14 tetor. Përfaqësuesja e OSBE -së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro në Tiranë gjithashtu do të marrë pjesë në një konferencë që do të zhvillohet më 13 tetor në Tiranë, organizuar nga AMA, Autoriteti i Mediave Audiovizive. Fokusi kryesor do të jetë shkëmbimi i përvojave me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe institucione homologe në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve ndaj programeve që mund të ndikojnë në shëndetin e tyre mendor dhe fizik.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Siguria ushqimore, vetëm 5% e qumështit që prodhohet në vend testohet

Siguria ushqimore, vetëm 5% e qumështit që prodhohet në vend testohet