Partia Demokratike njofton se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kallëzimin penal që depozitoi ndaj Ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit mbi veprimet sipas tyre kundër protestuesve në protestat e opozitës të datave 16 Shkurt – 16 Mars. Prokuroria ka ftuar për të dhënë deklarime mbi këtë kallëzim Sekretarin e Përgjithshëm Bardhi, ditën e hënë, ora 12.00.
Më datë 18 Mars 2019 Partia Demokratike nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, kallëzoi në Prokurori drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe vetë Ministrin e Brendshëm. Në kallëzim theksohej se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion, qytetarë të cilët ishin duke protestuar paqësisht.
Partia Demokratike thotë se "Siç tregojnë pamjet e ditës së protestës, jo vetëm nuk është respektuar, por qëllimi i Policisë ka qenë pengimi i zhvillimit të protestës, duke hedhur mjete të helimit masiv dhe ujë me presion ndaj të gjithë protestuesve, jashtë rregullave dhe rrethanave të lejuara nga ligji.
Ky është rasti i parë ku prokuroria nis hetimet ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit për përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion ndaj protestuesve. Prokuroria do të hetojë nëse Policia e Shtetit ka tejkaluar kompetencat e saj dhe nëse Policia ka ushtruar dhunë jo proporcionale ndaj protestuesve" thuhet në njoftimin e selisë blu.