Gazmir Bizhga: Ja e vërteta e
përgjimeve, do hetojmë Imamin

Gazmir Bizhga: Ja e vërteta e<br />përgjimeve, do hetojmë Imamin
TIRANE- Në një intervistë për Shqiptarja.com, deputeti i PS bëri të ditur se ligji i përgjimeve të komunikimeve elektronike ka mangësi dhe lë shteg për abuzime në përgjime nga operatorët. Ndër të tjera, ai pohon se debati i lindur në PS për përgjimin nga kreu i mazhorancës, thjesht i ka shërbyer këtij të fundit.

Në Partinë Socialiste është hapur së fundmi një "debat i brendshëm" lidhur me mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, ku disa kolegë tuaj janë shprehur se nuk ishte e drejtë që në këtë mbledhje të vendoseshin aparatura kundra përgjimit. Ju ç`qëndrim mbani?
Mua më duket një "debat" krejtësisht i pakuptimtë dhe absurd. E them këtë për arsye se mbledhja e Asamblesë Kombëtare të socialistëve është gjithmonë një ngjarje politike, mjaft e rëndësishme në vend. Në rastin e fundit kjo mbledhje kishte një objekt mjaft të rëndësishëm për të shqyrtuar dhe miratuar, që ishte platforma organizative e punës për zgjedhjet e ardhshme, mbi të cilën do të punojë e gjithë struktura e PS, për të arritur objektivin përfundimtar, atë të fitores së zgjedhjeve. Kuptohet që ky dokument është konfidencial dhe jo publik për të gjithë, ndaj nuk kuptoj se çfarë duhet të ketë këtu për "debat". Kjo ndodh kudo, në çdo vend të botës, edhe në ato me demokraci shumë të zhvilluar. Debati i lindur më pas për çështje telefonash më është dukur fund e krye një zhurmë fallco, e cila i shërbeu mjaft mirë Saliut, për të mbajtur ngritur propagandën e tij bajate anti opozitë, të cilën e bën çdo ditë lart e poshtë, për të zhvendosur sadopak, vëmendjen e shqiptarëve nga realiteti ku jetojnë, nga varfëria, ku i ka zhytur e nga aferat e tij korruptive që nuk kanë të numëruar.

Ndoshta ky është veprim i duhur sipas kreut të grupit parlamentar socialist në mënyrë të tillë që kundërshtari juaj politik të mos ketë mundësi të zbulojë asgjë lidhur me strategjinë e fitores së zgjedhjeve të 2013?
Duhet të kuptohemi me ju dhe publikun. Ne nuk jemi një vend normal demokratik, siç mund të ishte fjala vjen Danimarka apo Finlanda. Jo. Ne sot jemi një vend me një rregjim autoritar, i cili i ka grumbulluar të gjitha pushtetet tek një njëri i vetëm dhe që është Sali Berisha. Ky njeri tanimë kontrollon skrupolozisht çdo institucion të pavarur kushtetues që nga Presidenca, Gjykatat, Shërbimet informative, KLD-në, KLSH-në, KQZ-në, Policinë e Shtetit e pas pak ditësh edhe Prokurorinë e Përgjithshme. Të gjitha këto institucione janë vënë në funksion jo më të ligjit, por në funksion të mbajtjes në këmbë të rregjimit të Sali Berishës dhe të luftës kundër kundërshtarëve të tij, që nga shoqëria civile, gazetarë e media kritike e deri tek PS, që është opozita e vetme politikë e parlamentare e këtij rregjimi zullumqar e antipopullor. Në vijim të kësaj lufte që rregjimi i Saliut bën mbi kundërshtarët ë tij politikë, është edhe vënia në funksion të shërbimeve sekrete për përgjimin dhe survejimin me kohë të plotë, të liderit të opozitës, të zgjedhurve të saj dhe të forumeve drejtuese të PS. Kjo është thënë prej shumë kohësh prej nesh, aq më tepër, kur për shërbime inteligjente të veçanta, siç është shërbimi i zbulimit të ushtrisë (SHIU), ka dyshime shumë serioze që ka shkelur ligjin dhe ka tejkaluar misionin e saj kushtetues duke përgjuar opozitën. Atëherë çfarë duhet të bëjë PS në këtë situatë? Kuptohet që do të marrë masa parandaluese me aq sa mundet dhe një ndër to është ruajtja konfidenciale e informacionit për veprimin e saj opozitar për zgjedhjet e ardhshme, ku brenda kësaj mase përfshihet edhe veprimi i fundit në mbledhjen e Asamblesë.

Grupi parlamentar socialist ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes. A keni marrë një përgjigje lidhur me kërkesën tuaj dhe a do kërkoni interpelanca apo seanca dëgjimore me kryeministrin Berisha apo ministrin e Imami në lidhje me përgjimet?
Kërkesa për ngritjen një komisioni hetimor lidhur me veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes për vitet 2010-2012, ishte një veprim politik i kushtëzuar si pasojë e moslejimit dhe pengimit me të gjitha mënyrat i deputetëve të opozitës për të kryer veprimtarinë mbikëqyrëse për zbatimin e ligjit ne këtë ministri. Nuk presim që të marrim ndonjë përgjigje lidhur me kërkesën e depozituar nga ne, pasi ligji për komisionet hetimore dhe rregullorja e kuvendit(neni 25) e përcaktojnë mjaft qartë, se kur 35 deputetë depozitojnë kërkesën për hetim, bashkangjitur edhe objektin e hetimit dhe afatet, komisioni ngrihet menjëherë. Jam i sigurtë që edhe lejimin për ngritjen e këtij komisioni, mazhoranca parlamentare, do ta bëjë në afatet kohore me limit që lejon ligji, duke u përpjekur që ta shtyjë sa të mundet.

A ekziston në selinë e PS një aparaturë kundra përgjimi, kjo në kuadër të mbrojtjes së informacioneve nga ana juaj?
Nuk kam dijeni për këtë çështje.

Ju jeni duke shqyrtuar në komisionin e sigurisë ligjin për përgjimet. A keni ju amendamente konkrete për këtë ligj?
Sapo kemi filluar shqyrtimin e ligjit në komisionin e sigurisë. Kemi bërë vetëm një seancë, në të cilën janë dëgjuar kërkesat e përfaqësuesve të Qeverisë, Prokurorisë dhe SHISH. Ka ende seanca të tjera, ku do të dëgjohen edhe specialistë të fushës, ekspertë dhe grupe të interesit. Pas gjithë kësaj do të gjykojmë nëse është e nevojshme që të depozitojmë amendamente të tjerë nga ana jonë apo jo. Po në një vështrim të parë, ende pa u kryer i gjithë procesi i shqyrtimit dhe konsultimit për ndryshimet në ligjin për "përgjimet e komunikimeve elektronike" duket që ka mangësi dhe lë shteg për abuzime në përgjime nga operatorët që do t'i kryejnë ato, sidomos për atë pjesë që në ligj dhe në kodin e procedurës quhen përgjime parandaluese.

SHISH dhe Prokuroria nga ana e saj kishin kërkesa të veçanta lidhur me këtë ligj. Si i shikoni ju këto kërkesa, ku tashmë përgjimet do të bëhen dhe nga prokuroritë e rretheve?
Problemi në këtë vend nuk ka të bëjë me ligjin, po zbatimin abuziv dhe selektiv të tij apo me moszbatimin fare të ligjit. Po ju sjell ne shembull shumë flagrant të shkeljes së ligjit për "përgjimet e komunikimeve elektronike". Ky ligj në nenin 10, pika a, të tij përcakton se institucionet që kanë drejtë që të kryejnë përgjime të komunikimeve elektronike (telefonave dhe komunikimeve me internet etj) janë SHISH, Policia e Shtetit, SHKB(shërbimi i kontrollit të brendshëm) pranë Ministrisë së Brendshme dhe tani së fundi me ndryshimet e kërkuara edhe SHKB(shërbimi i kontrollit të brendshëm) të Drejtorisë së Përgjitheshme të Burgjeve, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Pra sipas ligjit edhe me ndryshimet e fundit, këto janë institucionet që e zotërojnë këtë të drejtë. Asgjëkundi nuk thuhet që këtë të drejtë e ka SHIU(shërbimi informativ i ushtrisë) pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Por në kundërshtim me çfarë saktëson ligji, Ministria e Mbrojtjes ka blerë për SHIU-n, para më shumë se një viti, një pajisje të përgjimit të komunikimit elektronik në një vlerë 1.5 milionë euro, gjë të cilën opozita e ka denoncuar dhe ka dyshime shumë serioze që ajo është përdorur në Shqipëri për përgjime dhe survejime të paligjshme, përfshirë edhe përgjimin e drejtuesve dhe të zgjedhurve të PS-të. Për zbatimin abuziv të përgjimeve opozita parlamentare, ka kërkuar të mbikqyrë organet e inteligjencës, si një të drejtë që ja jep ligji, për kontrollin civil dhe demokratik të FA dhe të inteligjences, por që vazhdon të pengohet. Ketë të drejtë duhet të na lejojë Saliu dhe jo të derdhë lot krokodili se ju hap barku, për valët e telefonave të deputetevë të PS, të cilët ai nuk mundi që t'i përgjonte për nja dy orë.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës SHQIPTARJA.com
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë