Korrespondenti në Serbi i kësaj agjencie Misha Saviç, ka raportuar dje se Gazprom dhe NIS synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre ekonomik në fushën e kërkimeve të naftës dhe gazit natyror në 10 vende të rajonit të Evropës Juglindore, për të arritur objektivat e planifikuara deri në vitin 2020.
OBJEKTIVAT
Kompania NIS e ka aktivitetin e saj kryesor në Serbi, por shfrytëzon fusha nafte edhe në Rumani, Hungari dhe Bosnje-Hercegovinë, synon të shtojë fusha të reja eksplorimi në Shqipëri, Mal të Zi, Slloveni, Bullgari, Kroaci dhe Greqi, në kërkim të burimeve hidrokarbure, thuhet në një plan-biznes, të publikuar dje në kryeqytetin serb nga kompania, qendra e së cilës ndodhet në Novi Sad, në veri të vendit. Sipas këtij plani, "NIS planifikon të përdorë dy opsione zhvillimi: blerjen e aksioneve që mbahen nga projekte dhe kompani më të vogla, por edhe krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta me aktorë të mëdhenj të sektorit hidrokarbur në rajon". Në këtë dokument shtohet se kompania synon të trefishojë prodhimin e vet nga viti 2020, duke arritur një sasi vjetore prej 5 milionë tonësh nafte.
VENDET
Në Greqi, NIS synon të marrë pjesë në tenderin për shfrytëzimin e hidrokarbureve, si në tokë ashtu edhe nën det. Në Kroaci ajo do të paraqesë ofertë në një tender tjetër shfrytëzimi, ndërsa në Slloveni do të paraqitet në bashkëpunim me një firmë angleze dhe në Malin e Zi planifikon të marrë pjesë në një tender për shfrytëzimin e naftës në det, në bashkëpunim me kompanitë që mund të jenë të interesuara.
Sa i përket Shqipërisë, në këtë plan-biznes bëhet e ditur se, ashtu si edhe në rastin e Bullgarisë, kompania mund të marrë pjesë në projekte, por nuk ka dhënë hollësi të mëtejshme.
TENDERI
Kompania ruse, pak kohë më parë, ishte një ndër gjsahtë subjektet, që paraqiti ofertën e vet për blerjen e Albpetrolit. Në raportin për vlerësimin e ofertave për privatizimin e shoqërisë shtetërore të naftës Albpetrol, të miratuar edhe nga Këshilli shqiptar i Ministrave më 3 tetor të këtij viti, lidhur me ofertën e paraqitur nga Gazpromi thuhet sa më poshtë.
"Oferta e paraqitur nga JSC GazProm Neft: Dokumentet e paraqitura nga kandidati konsistojnë në një letër të shkurtër, pa dokumente mbështetëse apo informacione të tjera, pa një plan-biznesi të detajuar, pa garanci të ofertës, pa pranimin e termave të ofertës dhe me një ofertë financiare prej 52 milionë dollarësh (jo euro), e cila ishte, gjithashtu, e kushtëzuar nga një numër kushtesh, që nuk janë në objektin e të Vendimit të Këshillit të Ministrave. Si rrjedhojë, dhe pas diskutimeve në takimin e datës 8 shtator 2012, Komisioni vendosi të refuzojë këtë propozim, pa ndonjë vlerësim të mëtejshëm, për shkak të mospërputhjes me një shumëllojshmëri kërkesash të dokumenteve të tenderit".
Qendrimi i kompanisë ruse habiti të gjithë të pranishmit në tender, duke qenë se shuma e ofruar ishte e papërfillshme dhe, nga ana tjetër, nuk shoqërohej nga garancia bankare e domosdoshme. Kjo krijoi idenë se rusët ishin thjesht vëzhgues të procesit, por jo pjesëmarrës në privatizim.
Plan-biznesi aktual, i paraqitur në Beograd, tregon se ata nuk kanë hequr dorë nga prania në Shqipëri, por këtë synojnë ta realizojnë nëpërmjet pjesëmarrjes në projekte ekzistuese.
LIDHJET
Gazpromi ka mohuar në të kaluarën përfshirjen e Shqipërisë në rrjetin e saj të shpërndarjes së gazit natyror, që realizohet në Ballkan nëpërmjet gazsjellësit "South Stream". Ky gazsjellës do të ketë një degë që të kalojë gazin në Maqedoninë fqinjë, por ende nuk ka një projekt për zgjatimin e saj për në Shqipëri,e cila do të realizonte lidhjen me rrjetin ndërkombëtar për herë të parë vetëm në rast se do të realizohet ndërtimi i gazsjellësit TAP, i cili, në vend të gazit rus, mendohet ta sjellë atë nga Azerbajxhani.