Gërvalla: Nuk e zbatojmë variantin e BE-së për Asociacionin nëse Beogradi nuk zbaton marrëveshjen e Brukselit

Gërvalla: Nuk e zbatojmë variantin e BE-së për Asociacionin nëse Beogradi nuk zbaton marrëveshjen e Brukselit

Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme e Kosovës

Ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla tha se qeveria e Kosovës nuk do të zbatojë variantin e propozuar nga Bashkimi Europian për themelimin e Asociacionit nëse Serbia nuk zbaton detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit.

Gërvalla deklaroi se vjeshtën e kaluar qeveria e Kosovës dërgoi komentet e saj mbi këtë variant të BE-së, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, ministrja Gërvalla tha qeveria është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, kurdo që opozita është e gatshme, por nëse për këtë ka konsenseus mes të gjitha forcave politike.

Zëri i Amerikës: Zonja ministre, a po shkon vendi drejt zgjedhjeve të reja parlamentare dhe kur mund të priten ato?

Donika Gërvalla: Tre vitet e fundit, puna e qeverisë së zgjedhur më 14 shkurt të vitit 2021, ka qenë e shoqëruar me suksese të cilat nuk janë pritur para zgjedhjes sonë nga askush. Nuk bëhet fjalë vetëm për zhvillimin ekonomik. Sundimi i ligjit, rritja e standardeve të demokracisë, por edhe sukseset e jashtëzakonshme në ngritjen e nivelit ekonomik të vendit, në punësim, në të ardhurat nga taksat, doganat etj. Këto kanë dëshmuar se kjo qeveri është e sigurt, i ka plotësuar pritshmëritë dhe madje i ka tejkaluar ato shumëfish. Megjithatë, nëse opozita në Kosovë është e mendimit që duhet të shkojmë në zgjedhje të reja dhe ka një konsensus për këtë, ne nuk do ta pengojmë këtë proces. Por, ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje në mënyrë selektive, me partnerë selektivë nga opozita. Ne presim që opozita të jetë serioze në thirrjet e saj për zgjedhje dhe mos ta bëjë këtë vetëm nëpër media, aty ku nuk vendoset për zgjedhje të reja. Ne jemi të gatshëm kurdo që opozita të jetë e gatshme. Ne mendojmë se do të ishte më mirë që zgjedhjet të mbaheshin gjatë ditëve të gjata se sa në ditët e shkurtra të dimrit. Megjithatë, ne jemi të gatshëm edhe që ta çojmë mandatin tonë deri në fund. Kjo do të ishte hera e parë që një qeveri e zgjedhur do ta çonte deri në fund mandatin pas pavarësimit të vendit.

Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla, udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë i kishin dërguar një letër kryeministrit Kurti për ta bërë të qartë se nuk do të pranohej një projekt tjetër përveç atij që njihet si projekti i BE-së për Asociacionin. Përse zgjodhët në minutën e fundit, kur dukej se gjithçka kishte dështuar për Kosovën në Këshillin e Evropës, që të bënit një ofertë për një projekt tjetër? Opozita ju ka kritikuar se këto janë lojëra të qeverisë. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave?

Donika Gërvalla: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një hap i duhur. E njëjta opozitë na kritikoi fortë edhe në maj të vitit 2022, kur ne dërguam kërkesën për anëtarësim, duke thënë se ne po bënim kot kërkesa për këtë dhe se këto janë lojëra politike, sepse nuk do të keni asnjë sukses. Ne jo vetëm që kemi pasur sukses, por gjatë dy viteve të fundit kemi përfunduar dy etapa të rëndësishëm. E para ka qenë kalimi i kërkesës tonë nga këshilli ministror në Asamblenë Parlamentare. Etapa e dytë ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme, marrja e vendimit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me 82 për qind të votave, përfshirë edhe nga deputetë të vendeve, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që kanë dhënë votën e tyre pozitive lidhur me konstatimin se Kosova është demokraci parlamentare funksionale dhe ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Të gjitha kërkesat e tjera janë politike, të cilat ne mendojmë se janë të padrejta dhe të paarsyeshme, sepse nëse Asambleja konstaton se janë përmbushur të gjitha kushtet, atëherë do të duhej të kishte njëfarë detyrimi edhe ndaj Këshillit Ministror për ta çuar më tej procedurën. Është e vërtetë që tre krerë shtetesh kanë dërguar një letër, ku japin zotimet e tyre që pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, disa nga shqetësime që janë paraqitur gjatë procesit të anëtarësimit do të duhet të trajtohen në mënyrën e duhur. Letra të cilën e përmendet ju është ajo të cilën kryeministri ia ka dërguar krerëve të këtyre tre shteteve javë më parë. Pra, kjo nuk lidhet me ofertën e fundit që kemi bërë. Ne e dërguam ofertën e fundit sepse kemi patur sinjale nga partnerë dhe shtete të rëndësishme për Kosovën që një kërkesë e tillë do të shihej me simpati dhe do të mund të gjente përkrahje. Pra, bëhet fjalë për ofertën që ne bëmë në momentin e fundit. Së dyti, ne e dërguam këtë sepse donim të ishim konstruktivë dhe të tregonim se jemi të gatshëm të punojmë më konkretisht mbi temat dhe detyrimet tona. Unë jam shumë e bindur se rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s është një rrugë e domosdoshme. Nuk ka alternativa të tjera për Kosovën. Sa më shumë rezultate që bindëse që të arrijmë në vend aq më i lehtë do të jetë anëtarësimi në këto mekanizma.

Zëri i Amerikës: Duke iu referuar asaj që ju përmendet se zoti Kurti fliste për një tjetër propozim, për çfarë propozimi bëhej fjalë?

Donika Gërvalla: Edhe propozimi tjetër ka qenë publik dhe i shfaqur gjatë takimeve apo telefonatave direkte apo letrave të dërguara, ka qenë një propozim që nëse dëshirojnë partnerët tanë do të mund ta trajtojmë çështjen e Asociacionit në formën të cilën ata dëshirojnë edhe kanë nevojë ta trajtojmë. Por ne nuk kemi mundësi ta trajtojmë çështjen e Asociacionit veç në Bruksel sepse në Bruksel ne jemi zotuar për dy marrëveshje, marrëveshjen e shkurtit të vitit të kaluar dhe marrëveshjen për sekuencimin dhe implementimin e kësaj marrëveshjeje në mars dhe prandaj një draft që na është dorëzuar nga Lajçaku lidhur me një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë, shihet vetëm në kuadër të pakos së bashku me ato dy kërkesa, ato dy marrëveshje të cilat i kemi bërë. Nxjerrja e Asociacionit nga kjo pako nuk ka asnjë kuptim, prandaj nëse ne mendojmë që Asociacioni është temë e dialogut në Bruksel, atëherë duhet ta trajtojmë si pjesë të pakos në Bruksel.

Zëri i Amerikës: Zonja Ministre, varianti i Bashkimit Evropian që ju i referoheni për Asociacionin ju është vënë në dispozicion para rreth gjashtë muajsh dhe ju ofruat që ta dërgoni në Gjykatën Kushtetuese një variant tjetër. A do të thotë kjo se për ju praktikisht quhet i papranueshëm varianti i Bashkimit Evropian?

Donika Gërvalla: Varianti që na është sjellë, na është sjellë në kuadër të pakos së përgjithshme në Bruksel, pra në kuadër të dialogut që zhvillohet me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe vetëm në atë sens, në atë kontekst mund të shihet ai draft pa gjykuar se a është i mirë apo është i keq. Ne kemi dërguar komentet tona; nuk kemi marrë ende përgjigje për komentet që kemi dërguar lidhur me atë draft dhe ato i kemi dërguar menjëherë vjeshtën e kaluar. Ndërsa nëse e shohim që qenka kaq urgjente çështja e një formati të cilin komuniteti serb do të mund të kishte një vetorganizim brenda ligjeve dhe brenda rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, atëherë në vend që të presim një proces të cilin Serbia e bllokon në çdo hap dhe nuk e pranon si të tillë, ne do të duhej të uleshim dhe do të duhej ta zgjidhnim vet. Në këtë pikë kemi qenë, kjo ka qenë oferta jonë. Të mos presim bllokadat. Ne nuk do ta zbatojmë atë draft i cili është në kuadër të procesit të Brukselit, pa u zotuar Serbia që edhe ajo të zbatojë pjesën e saj të punës. Prandaj duhet t’i ndajmë gjërat – ose po e trajtojmë Asociacionin në Bruksel ose po e trajtojmë në Kosovë, por dy proceset nuk mund t’i lidhim bashkë.

Zëri i Amerikës: Kjo do të thotë që arsyeja e vetme që ju nuk e pranoni variantin e Bashkimit Evropian për atë çfarë ju thoni, është fakti që Beogradi nuk po nënshkruan marrëveshjet?

Donika Gërvalla: Jo. Unë ju thashë që ne kemi dërguar komentet tona lidhur me atë. Komentet tona janë përmbajtësore dhe ne presim përgjigje për komentet tona lidhur me këtë.

Zëri i Amerikës: Atëherë, pse nuk u dërgua varianti i Bashkimit Evropian zonja Ministre, në Gjykatën Kushtetuese?

Donika Gërvalla: Ne nuk mund të dërgojmë drafte në Gjykatë Kushtetuese, sepse Gjykata Kushtetuese...

Zëri i Amerikës: Edhe drafti i Fredrich Ebert (Stiftung) ishte gjithashtu...

Donika Gërvalla: Jo, as atë nuk kemi thënë që do ta dërgojmë. Ne kemi thënë që bazuar në parimet e një propozimi që ka bërë, një studimi që ka bërë Fredrich Ebert Striftung, ne do të shkruanim draftin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilin do ta përqafonim dhe më pas do ta dërgonim në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk trajton drafte, nuk trajton letra pune, ‘ëorking documents’. Gjykata Kushtetuese trajton ligje dhe vendime, mirëpo ai dokument, në formën siç është dhe në suaza në të cilat është dorëzuar, nuk është në gjendje të dorëzohet nga ana jonë në Gjykatën Kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Zonja Ministre, edhe një pyetje të fundit. Javën e kaluar delegacione e Kosovës dhe Serbisë u takuan për të shtatën herë në Bruksel, por pa arritur një dakordësi për çështjen e dinarit. Ka ndonjë gjasë që të arrihet një marrëveshje?

Donika Gërvalla: Ne jemi ballafaquar në fillim kur Banka Qendrore e Kosovës nxori një rregullore të re, nga të gjitha anët jemi ballafaquar me kërkesën për ta trajtuar në mënyrë urgjente, për ta adresuar çështjen e implementimit të asaj rregulloreje në mënyrë urgjente. Siç e shihni, ne kemi disa herë që flasim rreth implementimit, pra jo rreth rregullores, jo rreth legjitimitetit të asaj rregulloreje, por rreth asaj se si dhe në çfarë periudhe do të mund ta implementonim atë rregullore në mënyrë të plotë. Rreth asaj kemi shkuar në Bruksel dhe kemi biseduar dhe me palën serbe, por si zakonisht, ndërkohë që Serbia bërtet që gjërat janë shumë urgjente, nuk lë rast pa shfrytëzuar për t’i lënë gjërat pas dore edhe për t’i vonuar. Prandaj, ne vazhdojmë me implementimin e rregullores sepse rregullorja është e një institucioni të pavarur të Republikës edhe duhet implementuar në plotni. Nëse Serbia vazhdon t’i vonojë proceset në Bruksel, atëherë ne do të duhet të gjejmë forma të tjera se si të implementohen. /VOA/

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Milani përballet me Real Madridin, Fonseca: Jemi të motivuar, Leao luan nga minuta e parë

Milani përballet me Real Madridin, Fonseca: Jemi të motivuar, Leao luan nga minuta e parë