Gëzim Myshketa: Ju tregoj
arsyet pse ika nga Shqipëria

Gëzim Myshketa: Ju tregoj<br />arsyet pse ika nga Shqipëria
TIRANE - “Figura e Ali Pashës nuk do të vijë si një karikaturë, si një pasha me mjekër, por do të vijë si një personazh romantik dhe do të jetë mjaft i këndshëm për dëgjuesin”, tha para premierës që u ngjit mbrëmë në Teatrin e Operës dhe Baletit, baritoni Gëzim Myshketa. Duke zotëruar menjëherë skenën, zëri vibrues i baritonit të njohur në skenat botërore ka sjellë për publikun shqiptar forcën autoritare të Ali Pashë Tepelenës.

Me një look ndryshe, me një larmi të shprehjes së botës shpirtërore dhe përjetimeve emocionale, Myshketa solli një personazh të veçantë në sytë e publikut, ndryshe nga ajo çfarë kemi krijuar nga leximi i historisë. Kjo opera kushtuar Ali Pashës 2 shekuj më parë nga kompozitori gjerman Albert Lortzing është interpretuar përmes një skene të mbushur me aksione, ku përmes këngëve dhe aktrimit kuptoheshin shumë qartë veprimet dhe gjestet e Ali Pashait.

Jeta e Ali pashë Von Tepelenës vendoset në qendër të skenës, duke nënkuptuar një histori të zhvilluar brenda kornizave të 24 orëve të jetës së tij. Përreth Ali Pashës kishte ushtarë francezë, grupe oborrtarësh të Pashait dhe një kor me gra të haremit. Myshketa e ka kënduar në gjuhën gjermane veprën me një akt, e cila është e ndarë në tre skena, ku në çdo skenë, recitohet dhe pastaj këndohet.

Gjermanishtja nuk është një gjuhë shumë familjare për këngëtarët e operës, por Myshketa rrëfen për “Shqiptarja.com” sesi ia doli ta realizonte rolin duke bërë një punë shumë këmbëngulëse me mësimin e theksit nëpërmjet një kursi special. Sigurisht me ngjyrën e bukur të zërit të tij prej baritoni, Myshketa i dha figurës së Ali Pashës një imazh po aq romantik sa kemi përftuar prej Lord Bajronit, pas vizitës së tij në Shqipëri.

Myshketa, një zë origjinal tashmë i njohur në operat botërore, rrëfen për “Shqiptarja.com” sukseset më të fundit në skenat ndërkombëtare. Gjithashtu, ai rrëfen edhe frymëzimin për të kënduar operën “Ali Pashë Von Janina” të gjermanit Albert Lortzing, duke na treguar disa detaje nga interpretimi.

Gëzim ne jemi mësuar tashmë me lajmet për sukseset e tua në skenat botërore, viti që shkoi si ka qenë për ty?
Kam debutuar në operën e Romës me veprën e Donixetit, pastaj në operën e Zyrihut, dhe kam pasur gjithashtu një interpretim në festivalin më prestigjioz të Salsburgut në operën “Kleopatra”. Ka qenë një vit i ngjeshur me impenjime dhe me suksese profesionale, të cilat unë zakonisht nuk e kam shume zakon që t’i përçojë urgjent në mediat shqiptare. Nuk shquhem shumë për këtë (qesh). Jam druajtur për këtë lloj pasqyrimi gjithmonë, sepse mendoj që duhet të jetë puna ajo që duhet të flas para mediave.

Po më mediat vendase ku keni dhënë koncerte si jeni pritur?
Në mediat atje kam pasur disa kritika që më kanë bërë të lumtur. Sigurisht unë pres edhe ndonjë kritikë negative që i ndodh kujtdo që interpreton, por kjo nuk më ka ndodhur. Ka pasur ndonjë rezervë në fillimet e karrierës sime, por 80 për qind kanë qenë kritika të shkëlqyeshme, ku gazeta franceze “Magazine” ka folur me superlativa.

Cili rol ka qenë mbresëlënës për ty. Ku të ka shijuar më tepër suksesi?
Berberi i Seviljes, i cili ishte një rol mjaft mbresëlënës i vështirë të cilin kisha vite që matesha ta bëja apo mos ta bëja, por suksesi më ndihmoi goxha dhe tani kanë nisur propozimet nga operat si ajo e Brukselit, ku më ftojnë që ta rimarrë atë rol. Një kënaqësi të madhe më ka dhënë edhe pjesëmarrja dhe suksesi në festivalin më të madh në botë që është edhe festivali i Lindjes së Xhuzepe Verdit.

Unë bëra debutimin tim me një rol të madh verdhan, rolin e Rolandos, dhe publiku që është më pretenduesi, më i ashpri dhe kritiku në Itali më priti me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Unë kam jetuar dhjetë vjet në Parma, aty kam bërë edhe konservatorin. Më ndodhi që në një gazetë ia tregova konfidencialisht gazetares rastin që disa nga ata klientë që u shërbeja si kamerier nisën të mbanin radhën për biletën.

Gazetarja e mori si spunto, dhe megjithëse kjo ka ndodhur në të vërtetë, nuk më erdhi mirë që doli si titull. Por tashmë më presin shumë sfida në të ardhmen. Do të kem në Tuluzë rolin e don Karlosit, një debutim i Verdit. Do të jem në Verona, do të jem në operën e Marsejës, do të jem në Tuluzë për operën “Turadot”, në Gjermani me pas. Kam plot impenjime për të ardhmen.

Më trego pak për fillimet e tua, kur ishe fëmijë si ke nisur të këndosh?
Në të vërtetë rruga ime ka nisur ndryshe. Unë vij nga një familje durrsake me kulturë të hershme të muzikës qytetare. Gjithë xhaxhallarët e mi, im atë, kanë qenë muzikantë, dikush për pasion, dikush për profesion. Kështu që të këndoja ishte e natyrshme për mua. Muzikën e kam edhe në gen dhe është e trashëguar nga të parët e mi.

Në fillim këndoja brenda mureve të shtëpisë i shoqëruar nga të afërmit e mi me muzikë dhe më vonë më dërguan të studioja me Zuzana Frashërin në degën e kantos në Akademinë e Arteve. Mësimet e vërteta për opera i kam marrë në moshën 18-vjeçare, kur edhe zëri fiton pjekuri.

Kur ikët nga Shqipëria dhe pse u larguat?
Në 99-2000 kanë kaluar 13-14 vjet, goxha kohë. Më duket sikur ishte dje. Ishte një zgjedhje e vështirë, sepse e ndjeja të domosdoshme që të bëja këtë profesion. Nuk e di a do ta isha bërë kaq profesional, nëse do të rrija në Shqipëri. Ika i shtyrë nga ëndrra dhe pasione ideale për artin e të kënduarit dhe me një përqindje të vogël papërgjeshmërie, siç e kanë të rinjtë me ëndrrat e tyre.

Tani me plot gojën mund të them se paskam pasur të drejtë për rrugën që mora. Nuk ishte e lehtë, por sakrificat kaluan dhe unë duke qenë vetëveprues arrita të mbajë veten ekonomikisht duke bërë edhe punë të rëndomta gjatë studimeve, por të ndershme.

Pse thatë që po të ishit në Shqipëri, nuk do të arrinit aty ku jeni?
Në vitet kur unë jam larguar, kushtet ishin në limitet e mjerimit edhe në Tetarin e Operës. Tani është bërë punë edhe nga ana e studimit, rregullimi i ngrohjes, por atëherë mungonte çdo gjë. Duken banale këto kërkesa, por efektivisht nuk janë banale. Sot në Shqipëri ka talente që kanë mundësi, kanë zëra të mrekullueshëm, por duke mos qenë të drejtuar në mënyrën e duhur do të kenë probleme, sepse nuk ka stimuj.

Stimujt jashtë t’i japin konkurset, audicionet, që dikur i fiton, dikur jo, por ta jep patjetër drejtimin që meriton të marrësh. Dhe ia arrin. Para dy vjetësh më propozuan të isha solist fizik në Dojce Opera, një nga më operat fantastike të Berlinit. Nuk pranova sepse natyra ime është pak rebele, nuk dua të qëndroj në një vend.

Një kompozitor gjerman ka bërë një opera për Ali Pashë Tepelenën, në 1800-n. Si është historia?
Po. Alberte Lorcing ka bërë muzikën dhe libretin. Ai e shihte Ali Pashën si figurë ekzotike. Në atë kohë Ali Pasha njihej në Europë që shërbente si guvernator turk në Shqipëri që nga viti 1803, por që ishte bërë i njohur për natyrën e tij kryengritëse duke udhëhequr një provincë larg Kostandinopojës, me një regjiment të pavarur. Aliu u rrëzua nga froni dhe u mposht nga kundërshtarët e tij, por Albert Lorcingu e fokuson me sa mundet historinë tek madhështia e dashurisë dhe ndjenjave të lirisë.

Ku e kishte njohur ky muzikant historinë e vërtetë të Ali Pashës?
Ali Pasha ishte bërë një figurë e njohur në Europë. Disa poetë i dhanë madhështi si një figure ekzotike. Kjo natyrisht që ka ndikuar edhe tek kompozitori gjerman. Historia që këndohet në këtë operë është kjo: Një ekspeditë franceze nën udhëheqjen e oficerit Bernier niset për në Shqipëri te Ali Pasha. Gjatë qëndrimit në Korfuz Bernier dashurohet me korfuzianen e bukur Ariana, e cila më pas zhduket në mënyrë misterioze.

Bernier vjen ta kërkojë deri në Shqipëri, ku flitej se mund të ishte dërguar në ndonjë harem të Ali Pashës. Ali Pasha informohet për ardhjen e e ushtarëve francezë me të, i mirëpret dhe Bernierit i premton një të dashur të re nga haremi i tij. Por Ariana është betuar për dashurinë, saqë e bën xheloz dhe e prek në sedër Ali Pashanë. Ajo nuk thyhet. Kështu kjo opera sjell mjaft reflektime humane të tij, aventura dhe intriga romantike, që sidoqoftë kanë një fund të lumtur.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës