Ndonjëherë nuk është e nevojshme të jesh një fenomen për të mbetur përgjithmonë në histori. Këtë e di mirë Ali Dia, i cili pikërisht sot mbush 61 vjeç. Sulmuesi senegalez është i famshëm sepse është cilësuar si lojtari më i dobët në historinë e Premier League (Angli) dhe sepse u bë protagonist i një prej historive më të pabesueshme të futbollit modern.
Karriera e tij nisi në vitin 1988 në ligat e ulëta të kampionatit francez. Më pas i lindi ideja gjeniale. Të ndryshonte pozicion? Jo, por të shtirej sikur ishte kushëriri i fituesit të Topit të Artë, George Weah.
Në një kohë kur interneti nuk ekzistonte, ishte pothuajse e pamundur të verifikoheshin informacionet. Kështu erdhën edhe kontratat e para. Në vitin 1995 ai ndryshoi plot tre skuadra, duke kaluar nga finlandezët e FinnPA dhe PK-35 te gjermanët e Lubeckut. Sezoni përfundoi me gjithsej 10 paraqitje dhe vetëm një gol, madje në portë të boshatisur. Shifra qartësisht të pamjaftueshme, ndaj strategjia duhej përmirësuar.
MASHTRIMI I SHEKULLIT - Dia vendosi që një mik i tij të hiqej si George Weah, me detyrën që të telefononte klubet e Premier League për t’u ofruar shërbimet e kushëririt të tij “jashtëzakonisht të talentuar”, i cili gjoja kishte një të kaluar të lavdishme te PSG dhe 13 paraqitje me kombëtaren e Senegalit.
I pari që kërkoi informacion ishte Harry Redknapp, trajneri i West Hamit, i cili e kuptoi menjëherë mashtrimin. Por të njëjtën intuitë nuk e pati Graeme Souness, trajneri i Southamptonit, i cili i ofroi një kontratë një mujore.
Para firmosjes, trajneri donte gjithsesi ta provonte në një ndeshje miqësore. Por fati i buzëqeshi sërish senegalezit pasi ndeshja kundër rezervave të Arsenalit u anulua për shkak të shiut dhe kontrata u firmos pa bërë asnjë minutë prove.
Në stërvitje u bë menjëherë e qartë se diçka nuk shkonte. Dia ishte teknikisht shumë i dobët dhe nuk arrinte të merrte pjesë siç duhet as në lojën e pasimeve mes shokëve të skuadrës. Megjithatë, fati ishte në anën e tij. Javën pasuese, për shkak të një liste shumë të gjatë dëmtimesh në repartin sulmues, erdhi debutimi i tij në Premier League.
Në minutën e 32-të të ndeshjes Southampton - Leeds, ai hyri në fushë në vend të ikonës së klubit, Matt Le Tissier.
Ndeshja e tij zgjati vetëm 53 minuta dhe u karakterizua nga gabime të tmerrshme dhe lëvizje të ngathëta. Dia bëri gjithçka për të prekur sa më pak topin. Për këtë arsye, Souness, i tërbuar në pankinë, vendosi ta përfundonte ndeshjen pa sulmues dhe e zëvendësoi në minutën e 85-të.
Vite më vonë, vetë Le Tissier e kujtoi kështu atë paraqitje: “Në skuadër mendonim se kishte fituar një konkurs për të luajtur me ne. Dukej si Bambi mbi akull, ishte e turpshme. Është pothuajse faji im, u dëmtova dhe bëra që të futej lojtari më i keq në historinë e Premier League.”
NJË JETË E RE - Të nesërmen, klubi i ndërpreu kontratën dhe Ali Dia u zhduk pa lënë gjurmë. Një vit më vonë ai i dha fund karrierës së futbollit, pasi kishte luajtur 8 ndeshje dhe kishte shënuar 2 gola me Gateshead, në kategorinë e pestë angleze. Ky ishte sezoni më produktiv i karrierës së tij.
Një mashtrim epik, që zgjati vetëm 53 minuta në fushën e futbollit, por që mjaftuan për ta bërë të përjetshëm një futbollist amator.
Por pas tërheqjes nga futbolli, Dia zbuloi talentin e tij të vërtetë, studimet.
Në vitin 2001 u diplomua në Newcastle Business School të Northumbria University dhe më pas mori një master në administrim biznesi në San Francisco State University (dhe jo, nuk falsifikoi provimet, nëse po pyesni).
Pas largimit drejt Dohas, në Katar, ku jeton ende sot me emrin Aly Dia (emër që e ndryshoi pas përfundimit të karrierës së futbollit), nuk ka pasur më shumë lajme për të.
Megjithatë, mbiemri i tij vazhdon të jetë në vendin e parë në listën e 50 futbollistëve më të këqij të të gjitha kohërave në kampionatin anglez, të hartuar nga The Times.




Komente
Komento