ITALI - Në netë siç do jetë kjo e sotmja duhet gjithë mbështetja e mundshme për të arritur objektivin. Prandaj dhe populli zikaltër është gati për të shtyrë skuadrën e Interit drejt përmbysjes kundër Bodo/Glimt në Champions League, pasi norvegjezët e kanë fituar 3-1 ndeshjen e parë.
Stadiumi 'Giuseppe Meazza' pritet të mbushet si në mbrëmjet më të rëndësishme. Parashikohet të jenë 65 mijë tifozë, por kjo shifër mund të rritet edhe me dhjetë mijë të tjera, sepse ka ende bileta të disponueshme. Pas sfidës së akullt në Norvegji, sot në Milano pritet një mbrëmje e nxehtë.
Kualifikimi në 1/8-at e Championsit është i nevojshëm për Interin, sepse janë shumë të ardhura në lojë, rreth 18 milionë euro. Zikaltrit nuk mund të heqin dorë lehtë nga kjo shumë.
Për përmbysjen, ashtu si sezonin e kaluar kundër Bayernit dhe Barcelonës, mbështetja e stadiumit mund të jetë vendimtare.
Mes tifozëve të shumtë do të jetë edhe një i veçantë, i cili do të shërbente shumë në fushë. Në tribunë pritet të jetë edhe Ronaldo 'Fenomeni', i cili pritet të nderohet si legjendë e klubit, bashkë me ish-shokun e skuadrës, Christian Vieri, para ndeshjes.
Komente








