Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të rikthejë në detyrë gjyqtaren e Krimeve të Rënda Marsela Balili, të pezulluar 6 vite e gjysëm më parë pasi prokuroria nisi ndaj saj dhe bashkëshortit një procedim penal për akuzën e korrupsionit.

Por kjo akuzë nuk u arrit të provohej nga prokuroria në gjykatë, e cila shpalli të pafajshme gjyqtaren Balili,ndërkohë dënoi me 1 vit burg bashkëshortin e saj Aleksandër Plepi. Pas marrjes së pafajësisë, Balili i është drejtuar me një kërkesë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërkesë e cila është shqyrtuar ditën e djshme në mbledhjen e KLD.

Të gjithë anëtarët kanë vendosur të zhfuqizojnë vendimin e pezullimit të gjyqtares Balili nga detyra, dhe të rikthejnë atë në vendin e mëparshëm të punës, pikërisht si gjyqtare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Balili u pezullua pasi dyshohej se kishte favorizuar nëpërmjet një vendimi gjyqësor, të pandehurit Panajot Dhiamandi dhe Besnik Braka. Balili dyshohet se ishte përfshirë në një aferë korruptive, dhe për këtë prokuroria kërkoi dënimin e saj me 1 vit burg, por që në fakt ajo u shpall e pafajshme.

Pjesë nga pretenca e prokurorisë
Sipas pretencës së prokurorisë, është provuar se i pandehuri Panajot Dhiamandi ka kryer veprime të kundërligjshme të drejtpërdrejta, duke propozuar dhe premtuar dhënien e drejtpërdrejtë të përfitimeve të parregullta në shumën 15 mijë euro, të pandehurit Aleksandër Plepi, i cili, nga ana e tij, ka premtuar se është në gjendje të ushtrojë ndikimin e tij tek e pandehura gruaja e tij, Marsela Balili, për të dhënë një masë dënimi më të ulët, për të pandehurin Besnik Braka. “Ndaj të pandehurit Arben Veliko është provuar se ka kryer veprime të drejtpërdrejta, duke ndërhyrë, propozuar dhe premtuar, dhënien e drejtpërdrejtë të përfitimeve të parregullta në shumën 15 mijë euro Aleksandër Plepit. Violanda Braka ka kryer veprime të drejtpërdrejta, duke ndërhyrë, propozuar dhe premtuar, dhënien e drejtpërdrejtë të përfitimeve të parregullta në shumën 15 mijë euro, sërish të pandehurit Aleksandër Plepi”, thuhet në konkluzionet përfundimtare të prokurorisë.

Shkarkohen gjykatësit Çobo dhe Hoxha
U dënuan nga drejtësia me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Dhomës Civile Tiranë, Ibrahim Hoxha dhe gjyqtarin e Beratit, Shyqyri Çobo. Hoxha u dënua nga Krimet e Rënda me dy vite burg, dënim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli i Krimeve. Gjyqtari u hetua dhe dënua me akuzën e korrupsionit ku në këmbim të 600 mijë lekëve ofroi një vendim pronësie në favor të një pale në proces trashëgimie për pronën. Ndërkohë gjyqtari Çobo u hetua e dënua me 1 vit e tetë muaj shërbim prove pasi u vu në akuzë për ngacmim seksual e shpërdorim detyre ndaj një qytetareje e cila me Çobon kishte seancat e divorcit me të shoqin në Gjykatën e Beratit. Ndëkohë në mbledhjen e djeshme, KLD ka vendosur të shpallë dhe vendin vakant në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit të gjyqtarit Zamir Poda, pasi ky i fundit ka mbushur moshën e pensionit.



dy.b/shqiptarja.com