I keni vënë re? Janë përherë të gatshëm të të vënë një dorë në shpatull kur ti e shkel. Kur ti gabon, ngrihen të të ngushëllojnë e të të përkëdhelin sedrën për të thënë: S'është faji yt. E zaptove tokën e tjetrit? Mirë e bëre. E bëre shtëpinë pa leje? Shteti e ka fajin. Nuk pagove dritat, shteti e ka shkelur; ecën me shpejtësi në rrugë, qeveria e ka fajin. Nuk paguan taksa?
Sërish, shteti e ka fajin. Duke thënë Shteti, Qeveria, siç e shkruante edhe Mid'hat Frashëri që në kohë të kohëve, shqiptarët e heqin përgjegjësinë nga vetja për ta kaluar në një entitet abstrakt. Duke thënë Shteti dmth askush, nuk dihet se kush, të jashtëligjshmit ndjehen mirë nga ajo që padrejtësisht kanë marrë: tokë, prona, para, drejtësi, gjithçka. Pastaj, sa më shumë bëhen, aq më shumë ngushëllohen. Dhe sa më shumë ngushëllohen, sidomos nga një pjesë politike, aq më shumë bëhen agresivë në veprimet e tyre për të mbrojtur atë që nuk u takon.
Por Shqipëria, nuk besoj se dëshiron të vazhdojë kështu. Në emër të atyre që gabojnë e sidomos, në emër të atyre që për interesa të ulëta u fërkojnë shpatullat ligjshkelësve, nuk mendoj se duam të mbetemi një vend pa rregulla, pa rrugë, pa pastërti e bukuri.
Sa vjen dhe më shumë, shqiptarët po distancohen nga goditësit e shpatullave falsë, që si hijena sillen rreth atyre që gabojnë dhe përpiqen që nga sedra e sëmurë, e përkëdhelur në momente të vështira, duan të përfitojnë.
Eshtë e vërtetë që kur rrëzohen kullat e egove, të cilat kanë forma të ndryshme materiale e antiligjore, zhurma është e madhe, edhe dhimbja gjithashtu. Por nga ky rrëzim, nga ky shkatërrim i të jashtëligjshmes, ringrihen më pastër edhe ata që e bënë, por sidomos, përfitojnë brezat që vijnë.`
Komente












..sh.bukur!..drejt e paster!..shteti Progresist per Mire"..,duhet te jemi edhe Ne Bashkesia PerBenista"..,perballe ketyre Sharlataneve
Përgjigju