1 i vdekur dhe 6 të plagosur është bilanci i katër aksidenteve rrugore të ndodhura në rrugët e Qarkut të Lezhës gjatë 24 orëve të fundit.
Ngjarja e parë rrugore ndodhi rreth mesnatës së së hënës, ku u përplasën dy automjete, njëri me drejtues A. Z. dhe tjetri me drejtues G. Xh.Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë Elinor Tusha, 25 vjeç, banues në Laç, i cili ishte pasagjer në automjetin e shtetasit G. Xh.
Gjithashtu, mbetën të plagosur drejtuesi i automjetit, G. Xh., 23 vjeç, si dhe pasagjeri tjetër, L. F., 23 vjeç. Të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit ku udhëtonte viktima, Genjtjan Xhaferri, 23 vjeç, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me pasojë vdekjen.
Ndërkohë, tre aksidente të tjera u regjistruan paraditen e kësaj të marte. Aksidenti i parë ndodhi në fshatin Tale, ku një automjet përplasi një person që lëvizte me biçikletë, duke e lënë të plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në aksin rrugor “Laç–Sanxhak”, automjeti me drejtues M. D. u përplas me automjetin me drejtues P. P. Si pasojë u dëmtua P. P., i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa në orët e drekës, në aksin rrugor “Bushnesh–Milot”, automjeti me drejtues R. M., 66 vjeç, u përplas me automjetin me drejtues R. Z., 58 vjeç. Si pasojë e aksidentit, u dëmtuan dy pasagjere në automjetin që drejtonte R. Z., shtetaset H. Q. dhe H. Z., të cilat ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Komente











