Gjeli i detit shitet në rrugë, çmimi dyfishohet, fermerët: Rritet kosto, blejmë misrin shtrenjtë! Report Tv vëzhgim në tregjet Vlorë, Elbasan e Lezhë

Në prag të festave të fundvitit të paktë janë blerësit në këtë treg të improvizuar në hyrje të Vlorës, pranë rrethrrotullimit të autostradës Fier-Vlorë.

Gjeli i detit po shitet me 800 lek për kilogram.

"Nuk e kam blerë akoma, nuk ka lekë, çmimet kanë shkuar shumë, vjet ishin shumë më lirë", thotë një blerës.

"Vjet çmimet ishin shumë të ulëta, këtë vit shumë lart, njerëzit nuk kanë para të blenë, nuk del hesapi. Jemi copë copë", shprehet një tjetër.

Fermerët pranojnë se kanë rritur çmimin dhe ky është efekt zinxhirë, pasi është rritur më parë çmimi i misrit.

"Tregu është i dobët, fukarallëk, populli ka ikur i gjithë, misri është shtrenjtuar. Vjet çmimet kanë qenë shumë të ulëta, por këtë vit që ka çmim të mirë, nuk ka shitje", thotë një fermer.

E njëjta panoramë është në Elbasan. Simboli i tryezës festive kushton më shtrenjtë. Nëse një vit më parë, fermerët e Pajovës e tregtonin gjelin e detit me 500 lek për kg, këtë vit çmimi ka shkuar nga 800 deri në 1000 lek për kg. Fitimet nuk janë të mira, pasi është rritur kostoja e mbarështimit të shpendëve.

Në veri të vendit, gjelat e detit i gjen si çdo vit buzë rrugës nacionale Lezhë-Shkodër.

Zadrima e Lezhës është një nga zonat që ka krijuar traditë në mbarështimin e gjelit të detit, ndaj dhe çmimi mbetet 700 lek/ kg.

"Këtë vit çmimet janë të mira. Gjelat e detit ne i kemi rritur në terren, janë bio, por s'ka treg", thotë një fermer.

"Janë rritur kostot, nuk ka treg është shumë e vështirë, nuk kam fitim fare. Arrij të nxjerrë vetëm lekët që kam harxhuar", shprehet një tjetër.

"Ka shumë kosto, është shumë e vështirë shitja këtë vit", thotë një tjetër.

Eksperti i Bujqësisë Gjovalin Kaceli thotë se fermerët duhet të mbështeten me subvencione për të përballuar koston e lartë.

"Gjeli i detit Zadrima është një racë autoktone, shquhet për shijen karakteristike duke qenë se është shpend i rritur në natyrë. Sa i përket konsumit, është rritur çmimi i misrit apo i produkteve me të cilën ushqehen ata. Është rritur kosto", tha Kaceli.

Në Zadrimë mbarështohen deri në 50 mijë gjela deti në vit dhe është burim kryesor për të ardhurat familjare.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

'Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg', reagon Rama: Mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit

'Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg', reagon Rama: Mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit