Gjeli i detit, ose siç ndryshe quhet “Mbreti i tavolinës” së natës së ndërrimit të viteve, nga dita e sotme do të mund të tregtohet vetëm në tregun e fshatit Vishnje të Baldushkut e jo më në rrugë të ndryshme siç bëhej më parë.

Faktin e ka bërë të ditur sot kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj që ishte sot i pranishëm në tregun e gjësë së gjallë për të garantuar të gjithë qytetarët për cilësinë e produkteve që tregtohen nga fermerët e zonës.

Më vjen shumë mirë sot që në Baldushk, në fshatin e Vishnjes hapim këtë treg të gjësë së gjallë, tregun e shpendëve. Është një traditë që ne duam ta ruajmë, ka shumë familje që gjelin e fundvitit duan ta marrin dhe ta blejnë të gjallë. Ne duam ta ruajmë këtë traditë, por duam të ruajmë edhe qytetin. Kjo është një zgjidhje higjienike, kjo është një zgjidhje e shëndetshme. Kjo është një zgjidhje që promovon ekonominë vendase”, tha Veliaj.

erion veliaj

Ky treg do të jetë i hapur në dy javët e ardhshme, në Vishnje, në një treg që ka të gjitha kushtet, me veterinerë që kontrollojnë cilësinë e shpendëve që shiten këtu.

Drejtoresha e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Rudina Hoxha, tha se ky është tregu i parë i gjesë së gjallë dhe produktet që tregtohen këtu janë të garantuara.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, tha se përveç produktit të zonës, qytetarët e Tiranës do të vinë të bëjnë shpenzimet e tyre këtu, por edhe të njihen me bukuritë e kësaj zone.

baldushk

baldushk

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)