Tetë gramë kanabis janë gjetur në burgun e Vlorës, pas kontrolleve të bërë mbrëmjen e djeshme.

Bëhet me dije se droga u gjet pas kontrolleve në disa qeli nga Policia e Burgut të Vlorës, që erdhën si pasojë e disa informacioneve të marra në rrugë operative.

Mësohet se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të burgjeve kanë nisur verifikimet në bashkëpunim me policinë e shtetit për të zbuluar se u fut sasia e kanabisit në burg.

Kujtojmë se më 1 shkurt në burgjet në vend u zhvillua një superoperacion që vuri në pranga 28 persona, zyrtarë, policë burgjesh, biznesmenë dhe të burgosur që e kishin kthyer aktivitetin kriminal brenda qelive. Superoperacioni i Policisë zbuloi se të dënuarit për vepra të rënda penale kanë vijuar aktivitetin e tyre kriminal edhe brenda qelisë duke krijuar një grup të strukturuar kriminal. Policët e burgjeve, jo vetëm që nuk kanë ndërhyrë për të shkatërruar këtë grup, por kanë bashkëpunuar me ta duke mundësuar futjen e qeli të drogës dhe sendeve të paligjshme dhe transportin e saj nga njëri burg në tjetrin, duke komunikuar lehtësisht. Droga transportohej në trinomin burg i Peqinit-burgu i Drenovës- paraburgimi i Elbasanit dhe të gjitha këto veprime kryheshin kundrejt përfitimeve, ku si rezultat i këtij operacioni i sekuestruan 4 mln lekë brenda në burg.