Një 56-vjeçar që rezultonte i zhdukur prej disa ditësh është gjetur i pajetë në lumin Mat, në fshatin Zenisht.

Viktima dyshohet të jetë ish-oficeri i Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, i cili ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë që prej ditës së enjte. Sipas burimeve, ai vuante nga demenca dhe probleme të theksuara të kujtesës.

Trupi është konstatuar nga banorë të zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Më pas në vendngjarje kanë mbërritur efektivët dhe shërbimet e emergjencës, që kanë bërë nxjerrjen e trupit nga lumi.

"Sipas informacionit paraprak të policisë, rreth orës 10:00 të së dielës, në lumin Mat është gjetur pa shenja jete shtetasi F.K., 56 vjeç, banues në Tiranë. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune në trup. Hetuesit dyshojnë se ai ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë, ndërsa trupi është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore. Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes" thuhet në njoftimin e uniformave blu.