Gazetarja dhe kompozitorja e njohur në Kosovë, Violeta Rexhepagiqi është gjetur e vdekur në banesën e saj.
Prej vitesh ajo ishte pjesë e RTK, kanali televiziv shtetëror i Kosovës.
Ndërkohë, janë të paqarta shkaqet e vdekjes së 44 vjeçares.
“Sot rreth orës 09:30 policia ka marrë informatën se në rrugën ‘Ferat Dragaj’ në Prishtinë, saktësisht në një shtëpi, gjendet një person pa shenja jete. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka hasur viktimën grua, e cila ishte pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, njoftoi policia.
Vileta ishte motra e këngëtarit dhe kompozitorit të njohur Armend Rexhepagiqi.
Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me prezantimet e saj në grupin e muzikës moderne të kohës “Vivien” rreth vitit 1984.
Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”.