Gazetarët që raportojnë seancat e GJKKO kanë komentuar për Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë rregulloren e re që do të hyjë në fuqi më 1 shtator që rikthen censurën ndaj mediave me kufizimet dhe ndalimet që pamundësojnë raportimin e seancave gjyqësore. Një nga ndalimet më kryesore është përdorimi i celularit, një mjet pune me të cilin gazetarët informojnë redaksitë përmes mesazheve me tekst. Në thelb, reagimi i gazetarëve thekson cenimin e lirisë së medias, gazetarëve dhe informimit të publikut.
Armend Bajrami, A2CNN: Rregullorja krijon premisa penguese, ndëshkuese dhe diskriminuese për gazetarët, me pasojë kufizimin e mundësisë për të informuar publikun në kohë reale mbi zhvillimet me interes në GJKKO. E gjitha kjo nuk i shërben transparencës, por një qasjeje tërësisht izoluese të veprimtarisë së Gjykatës së Posaçme kah medias dhe publikut.
Eni Ferhati, Euronews Albania: Në pamje të parë kjo rregullore hedh poshtë një bashkëpunim shumë të mirë të ndërtuar prej vitesh me gjykatën e posaçme, në funksion të interesit publik. Ne nuk kemi kërkuar privilegje apo trajtim preferencial, por praktikisht me rregullat e reja që parashikohen, niveli i vështirësisë bëhet i papërballueshëm.
Keti Banushi, Report Tv: Për mua, kjo është një pengesë shumë e madhe. Në GJKKO zhvillohen disa gjyqe në ditë dhe, në këto kushte, është e pamundur t'i ndjekim, e aq më tepër t'i raportojmë. Praktikisht, dyert janë mbyllur për mediat, njësoj si në kohën e Covid-it, kur nuk dihej çfarë po ndodhte. Celulari, për ne, është mjet pune dhe nuk e kuptoj pse i tremb gjyqtarët.
Glidona Daci, Klan News: Unë nuk kam asnjë detyrim ligjor t'i shpjegoj gjykatës pse e ndjek një seancë. Nuk i jap llogari Gjykatës së Posaçme për vërtetësinë e lajmit. Rregullorja na kërkon që të jemi të vërtetë. GJKKO kërkon të bëhet kryeredaktore e lajmeve.
Bleona Metushi, Tv Klan: Dukshëm, një rregull i marrë pa asnjë konsultim e, për rrjedhojë, në mosdije totale se si funksionon media dhe gazetaria. Në muajt që vijnë, GJKKO pret të mbajë seanca të rëndësishme, me interes të lartë publik, seanca që rrezikojnë, për shkak të kësaj rregulloreje, të mbeten të pambuluara siç duhet.
Blerina Cene, Vizion Plus: Mendoj se me rregulloren e re, roli i medias është tretësor, pasi në renditjen e përcaktuar media rrezikon të mbetet jashtë sallës së gjyqit. Në tërësi vlerësoj se krijohet vështirësi artificiale, që lehtësisht mund të ishte zgjidhur pa patur nevojë për një rregullore të ashpër.
Lajmi kryesor:
GJKKO censurë mediave, shoqatat e gazetarëve brenda dhe jashtë vendit në unison kundër rregullores së re: Shihemi si kërcënim, nëse s’tërhiqeni ankohemi në KiE










