Pavarësisht se si përfundon lufta në Ukrainë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara do të kenë të bëjnë me një Rusi më të fortë dhe më të zemëruar për vitet në vijim. Kështu është shprehur Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s për Evropën, gjenerali Christopher Cavoli.
Në reagimin e tij nga Parisi ku ishte prezent gjatë ekspozitës së armëve të reja ndërkombëtare, Cavoli tha se, disfata e Rusisë në Ukrainë është e rëndësishme por, thekson gjenerali i lartë, në të ardhmen e afërt ne do të përballemi me një Rusi e cila ka një ushtri e cila rindërtohet më shpejt se sa e imagjinonim.
“Disfata e Rusisë në Ukrainë është jashtëzakonisht e rëndësishme, por pavarësisht se si do të përfundojë kjo në anën e largët të konfliktit, ne do të gjejmë një Rusi që ka një ushtri që rindërtohet shumë më shpejt nga sa e imagjinonim. Pra, ne do të kemi një problem të madh me Rusinë për vite me radhë dhe mendoj se duhet të përgatitemi për këtë”, tha Cavoli.
![]()
Shqetësim për Cavolin është faktin se Rusia po krijon aleanca të forta dhe të konsoliduara me Korenë e Veriut dhe Iranin, dy nga armiqtë e përbetuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dhe Rusia nuk është vetëm, vuri në dukje ai, duke analizuar edhe vizitën e fundit të Vladimir Putin në Phenian dhe Vietnam. Sakaq, ushtria ruse ka kryer një sulm “masiv” ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainën perëndimore dhe jugore. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Energjisë.
“Disa impiante në rajonet e Zaporizhzhia dhe Lviv u dëmtuan”, shtoi ministri, duke specifikuar se dy punonjës u plagosën dhe u dërguan në spital. Ndërkohë, një tjetër problematikë është shfaqur për ukrainasit.
Media amerikane, Washington Post, bën me dije ankesën e zyrtarëve ukrainas, pasi SHBA nuk i ka lejuar ata që të godasin më shumë se 100 km nga kufiri rus me armët amerikane. Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të specifikonin kufizimin, por thanë se pretendimi i ukrainasve për më pak se 100 kilometra ishte i pasaktë.
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)