Gjeneva e Zvicrës ndodhet sot sërish në fokusin e diplomacisë ku po zhvillohen dy palë negociata, ato mes Rusi-Ukrainë për një marrëveshje paqeje dhe ato mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, me fokus programin bërthamor të Republikës Islamike.

Teksa sot është dita e dytë e bisedimeve tripalëshe SHBA-Ukrainë-Rusi, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, tha se bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë një ditë më parë kanë “sjellë përparim domethënës” për t’i dhënë fund luftës.

“Suksesi i Presidentit Trump në bashkimin e të dyja palëve të kësaj lufte ka sjellë përparim domethënës dhe ne jemi krenarë që punojmë nën udhëheqjen e tij për të ndaluar vrasjet në këtë konflikt të tmerrshëm”, shkroi Witkoff në X.

Megjithatë nga ana tjetër shpresat për një përparim gjatë bisedimeve janë të pakta, pasi Kremlini nuk është lëkundur nga kërkesat e tij për territorin ukrainas.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar së fundmi se i takon Ukrainës të sigurojë që bisedimet në Zvicër të jenë të suksesshme, pa përmendur Rusinë. Ndërkohë Zelensky ka thënë vazhdimisht se vendit të tij po i kërkohet të bëjë kompromise joproporcionale në krahasim me Rusinë.

Gjenevë për bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë, ndodhen dy të dërguarit specialë të presidentit Trump, Steve Wikoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner. Nga pala ruse, ndihmësi i Presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinsky, është negociatori kryesor. Negociatat po zhvillohen një javë para përvjetorit të katërt të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska.

Lajm në përditësim...